KQZ, miraton sot shpërndarjen e fondeve për partitë politike

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të miratojë sot shpërndarjen e ndihmës financiare vjetore për partitë politike.Ndërkohë ligji “Për buxhetin e vitit 2013”, ka parashikuar fondin prej 200 milionë lekësh si mbështetje financiare për partitë politike për vitin 2013.Sipas kritereve të shpërndarjes së këtij fondi 70 % e tij ndahet sipas numrit të deputetëve të fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare, 20 % ndahet në mënyrë të barabartë ndërmjet partive parlamentare, ndërsa 10 % shkon për partitë që në zgjedhjet e fundit parlamentare kanë fituar mbi 1 % të votave në shkallë vendi.Kështu në bazë të këtyre kritereve, Partia Demokratike pritet të marrë mbi 83.5 mln lekë, PS mbi 80.6 mln, LSI rreth 11.7 mln, PDIU rreth 7.7 mln, PBDNJ gati 8 mln, Partia Republikane mbi 8.1 mln dhe Partia Socialdemokrate mbi 352 mijë lekë të reja.Ndërkohë, nga kjo skemë nuk përfiton partia “Fryma e Re Demokratike”. Kjo e fundit nëpërmjet  Sekretarit të saj për Çështjet Zgjedhore, Ervin Karamuço, bëri të ditur dje shqetesimin e saj në lidhje me një praktike të re, sipas tyre abuzive që është duke u gatuar në KQZ lidhur me përjashtimin e FRD-së nga përfitimet e ligjshme që parashikon Kodi Zgjedhor për partitë parlamentare.