FRESSH shënon sot 21-vjetorin e themelimit
Forumi Rinor Eurosocialist shqiptar feston sot 21-vjetorin e krijimit të tij. Në aktivitetin që do të zhvillohet në orën 16:00 në Pallatin e Kongreseve pritet të marrin pjesë qindra të rinj të FRESSH-it, ish drejues të forumit, deputetë të kësaj force politike por edhe kryetari Edi Rama.Sekretari për Rininë në PS, Erjon Veliaj e ka vlerësuar këtë forum si shumë të rëndësishëm për ndryshimin.Gjatë një prononcimi për mediat, gjatë përgatitjeve për ceremoninë festive, Veliaj ka vlerësuar punën e bërë me angazhimin e të rinjve duke shtuar se është krijuar një PS e të rinjve në çdo cep të vendit.“Qershori i 2013-ës do të jetë pavaresi nga injoranca, papunësia, indiferenca shtetërore. Hyjmë të dyfishuar me forca në këtë fushatë. Të rinjtë duhet të jenë një pjesë shumë e rëndësishme e fushatës për rilindje”- tha ai.Sipas tij, Partia Socialiste ka qënë dhe do mbetet një parti progresiste, prandaj sot është koha që këta të rinj të lënë gjurmët e tyre.“Sot është koha më e bukur për të lënë një gjurmë. Ky është fillimi më i bukur për fushatën. Jam i bindur se të rinjtë do jenë faktor fitoreje për zgjedhjet”, tha Veliaj.Prej ditësh aktiviteti është njoftuar në “Twitter” dhe “Facebook” nga kryesocialisti Edi Rama, i cili ka ftuar ndjekësit e tij në rrjetet sociale të shkruajnë mesazhin që do duan të përcjellin në sallë.Aktiviteti është menduar si një festë, e cila do të nisë me muzikë të përzgjedhur e do vijojë me fjalime.Kjo festë do të jetë e hapur për të gjithë, dhe në këtë kontekst nuk është bërë ftesë për asnjë nga ish-krerët e FRESSH që tashmë janë larguar nga radhët e PS-së.