Plagosja e shefit të Krimeve të Matit, Policia e Shtetit jep detajet, shpall në kërkim drejtuesin e furgonit

Policia e Shtetit ka sqaruar operacionin e ndërmarrë në Burrel në afërsi të fshatit Suç në aksin Burrel-Klos, gjatë të cilit mbeti i plagosur shefi i krimeve të Matit Musa Skura.Në një deklaratë për mediat zëdhënësi i Policisë së Shtetit ndërtoi të gjithë skenarin e operacionit, ndërsa shtoi se të gjitha materialet në ngarkim të të arrestuarve për këtë rast do ti referohen Prokurorisë për Krime të Rënda nën akuzën e vrasjes me paramendim të mbetur në tentativë si dhe shitje municionesh.“Gjatë ditës së djeshme rreth orës 18.35’, në fshatin Suç, gjatë një operacioni të organizuar nga Komisariati i Policisë Mat ka mbetur i plagosur rëndë Shefi i Hetimit dhe Parandalimit të Krimit të këtij Komisariati, Komisar Musa Skura.Komisariati i Policise Mat, bazuar në informacionet e grumbulluara nga shërbimet policiore, kishte organizuar punën përmes një plani masash, për të goditur një rast të shitjes së municioneve luftarake, me qëllim kapjen në flagrancë të autorëve të dyshuar.Pas pozicionimit të tyre në vendin e quajtur Përroi i Keçit në fshatin Suç, nga forcat e Komisariatit të Policisë Mat, janë konstatuar dy shtetas të armatosur, të cilëve u është bërë thirrje për të ndaluar.Gjatë momentit të arrestimit njëri prej tyre ka qëlluar me armë zjarri automatik, duke plagosur rëndë Shefin e Hetimit dhe Parandalimit të Krimit të këtij Komisariati, Komisar Musa Skura.Nga ndërhyrja e menjëhershme e forcave të tjera pjesëmarrëse në operacion është bërë e mundur kapja e shoqërimi në Komisariat i autorëve të dyshuar, përkatësisht:-Fitim Hashim Alla, vjeç 19, banues në fshatin Rripe të rrethit Mat.- si dhe Vilson Petrit Milkurti, vjeç 18, banues në fshatin Suc, të rrethit Mat.Ndërkohë në afërsi të vendit të ngjarjes janë kapur e shoqëruar në ambientet e Komisariatit dhe 2 autorët e tjerë të dyshuar për përfshirjen në veprimtarinë kriminale të shitjes së municionit luftarak, përkatësisht:-Edison Sinan Lleshi,18vjec.- si dhe shtetasi me inicialet A. Ll., vjeç 15, që të dy nga fshati Dom, rrethi Mat” bëri me dije zëdhënësi i Policisë së Shtetit.Nga tërësia e veprimeve hetimore e procedurale të kryera ka rezultuar se 4 shtetasit e sipërcituar kanë organizuar për të shitur disa shtetasve të tjerë një sasi prej 26 arka me municion (fishekë), të cilin e kanë transportuar përmes një mjeti furgon në vendin e ngjarjes, ku do të realizohej dhe shitja e tij.Për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarje është ngritur një grup i posaçëm, me pjesëmarrjen e ekpertëve nga Drejtoria për Krime të Rënda në Policinë e Shtetit, ekspertëve të Policisë Shkencore, si dhe strukturave të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë për Krime të Rënda.Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri automatik, tip kallashnikov. Gjithashtu gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar edhe 8 kuti me municion luftarak fishekë model 56 mm, ku secila prej tyre mbante 720 copë fishekë.Ndaj shtetasve Fitim Alla, Vilson Milkurti, Edison Lleshi dhe shtetasit me inicialet A. Ll. është marrë masa e arrestit në flagrancë dhe materialet do ti referohen Prokurorise se Krimeve te Renda Tirane per veprat penale “Vrasje në rrethana te tjera cilesuese e mbetur ne tentative e kryer ne bashkëpunim”, si dhe “shitje dhe mbajtje pa leje të armeve dhe municioneve luftarake”.Po ashtu është bërë dhe shpallja në kërkim e shtetasit Riza Xhemal Barçi, drejtues i mjetit furgon përmes të cilit është transportuar municioni luftarak.Ndërkohë nga strukturat e Policisë së Shtetit vazhdon puna për identifikimin e kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet Kriminal.