Lazarati një muaj pasi u mor nga policia. Fundi i “pushtetit të kanabisit”
Një superaksion policor solli në fshatin më të përfolur dhe më të njohur jo vetëm brenda kufijve shqiptarë, por edhe më tej, Lazaratin, ndryshimin. Ndryshimin e papritur për ta, të shumëpritur nga pjesa më e madhe e shqiptarëve. I nisur krejt befasisht, pa asnjë parapërgatitje të dukshme, ky superaksion mblodhi në Gjirokastër një numër të madh forcash policore, gazetarësh, ministra e drejtorë.Për pesë ditë me rradhë, prej pasdites së datës 15 qershor 2014, të gjithë mbanin frymën pezull. Armë, të shtëna nga çdo anë, vështirësi parashikimi për momentin e rradhës. Policia përparon me hapa të ngadaltë, por të sigurt, përballë gjuajtjeve të kontrolluara me kallash apo snajper që vinë nga fshati rebel. Gazetarët raportojnë hap pas hapi nga vendi I ngjarjes, shumë prej tyre me guximin e tepruar duke hyrë në brendësi të territorit të “zonës së luftës”.Pesë ditë pas fillimit të kësaj përballjeje polici – Lazarat, më 20 qershor 2014 Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së shtetit jep njoftimin se tashmë është prezent në gjithë territorin e Komunës Lazarat “duke mbajtur nën mbikqyrje situatën dhe duke ofruar rend e siguri për banorët”.
Rruga tashmë është e hapur edhe për gazetarët të cilët vërshojnë në fshatin e pashkelur më parë prej tyre. Në Lazarat gazetarët kanë qenë dhe vazhdojnë ende të jenë “nongrata”, të padëshiruar. Më parë për të mosdokumentuar atë çka ndodhte brenda mureve të larta prej betoni, brenda shtëpive lukoze rrethuar nga parcelat e mbjella me kanabis apo edhe në shtëpitë modeste të mbushura me vazo lulesh apo goma makinash ku kultivohej bima e ndaluar ligjërisht, burimi I të ardhurave për 5000 banorët e Lazaratit, ndërsa tashmë gazetarët shihen si ata që sërish do t’i bëjnë të ditur botës atë që “de juro” dihej, por “de facto” ende nuk ishte faktuar.Dhjetëra e qindra uniforma policore, Renea, FNSH etj, zaptuan çdo pëllëmbë tokë të këtij fshati. Edhe në këtë rast, mopërputhja njerëzore doli në pah. Jo pak prej banorëve të Lazaratit e mirëpritën këtë aksion, I mirëpritën policët, ndërsa po aq nuk nguruan ta shprehin zemëratën për praninë e tyre aty. Orët në vazhdim, zemërata e lazaratasve do të shtohej nga kontrollet e rrepta dhe të vazhdueshme të uniformave blu, kontrolle që vazhdojnë edhe sot, një muaj pas fillimit të operacionit policor.
Apokalipsi i kanabisitRreth 70 ton marijuanë janë sekuestruar gjatë këtij operacioni që ende vazhdon, mbi 130 mijë rrënjë e fidanë janë asgjësuar nga policia, ndërsa nuk kanë munguar sasi të mëdha lëndësh të forta narkotike, farë kanabis apo vaj hashashi. Një infrastrukturë e tërë në shërbim të mbjelljes, kultivimit e prodhimit të kanabisit u gjet e instaluar në Lazarat, laboratorë, inkubatorë, llamba ngrohjeje, kamera vëzhgimi krahas një arsenali të tërë armësh e municionesh që nga pistoletat, kallashët, pushkët, deri te snajpera e mitralozë të lehtë e të rëndë, armë të vjetra e të reja, kallëpe tritoli e granata, mina e mbushje predhash.
Nuk u desh shumë kohë që banorët e Lazaratit ta kuptonin se ky ishte fundi I një epoke, ky ishte “apokalipsi I kanabisit”. Shtëllunga tymi pushtuan të gjithë territorin. Fillimisht ishin vetë banorët ata që po digjnin me duart e tyre frutin e një pune një apo më shumëvjeçare, mijëra euro të hedhura në gjuhët e flakës. Më pas ishin uniformat blu ato që digjnin çdo sasi të sekuestruar kanabisi.
Ndërsa kontrollet në shtëpitë e Lazaratit vazhdonin me intensitet, nuk mungonin të ndaluarit nga policia, persona të dyshuar apo në kërkim, individë të akuzuar për prodhim e shitje të narkotikëve apo armëmbajtje pa leje, rreth 47 persona janë ndaluar deri më sot në kuadër të këtij operacioni, ndërsa vetë kryekomunari I Lazaratit, Dasho Aliko është në procedim penal. Një ministër i brendshëm në Lazarat. Tahiri: “Një kapitull I ri për lazaratasit”.24 vjet pas ardhjes së demokracisë një ministër I brendshëm shkel në Lazarat, pikërisht ditën e parë të zotërimit të këtij territori nga policia, më 20 qershor 2014, ku çuditërisht, ndryshe nga çmund të pritej nga të gjithë është mirëpritur nga banorët që e kanë rrethuar dikush për ta falenderuar, dikush për të kërkuar falje për të birin e ndaluar sipas tyre, padrejtësisht.“Një kapitull I ri për zhvillim përtej fatit të paracaktuar nga banditët që jetonin këtu” deklaronte nga Lazarati ministri Tahiri.
Lazarati sot. Përhumbja e një fshati, pasojat e aksionit policor.Sot, një muaj pas fillimit të këtij superaksioni, të mirëpritur nga të gjithë, të vlerësuar nga ndërkombëtarët, të dëshiruar edhe nga vetë qytetarët, gjithçka duket se i është rikthyer normalitetit edhe pse pikëpyetjet e problematikat vazhdojnë të jenë të shumta.Banorët e Lazaratit përballen tashmë me një realitet ndryshe, për disa i vështirë për t’u përballuar; bizneset në Gjirokastër përballen me humbjen e një burimi të mirë të ardhurash. Ata janë të parët ku u reflektuan pasojat e këtij superaksioni, po aq sa u ndien edhe në ata dhjetëra e qindra punëtorë të hashashit që numëronin ditët kur do të fillonte sezoni I mbjelljes apo kultivimit të bimës që u siguronte jetesën.L.Sh nga Gjirokastra pranon anën pozitive të aksionit të policisë. “Momentet kur fillonin të shtënat me armë ishin më të vështirat, thotë ajo. Në lagjen tonë, lagjen “Zinxhira” duke qenë se jemi më afër me Lazaratin, plumbat na hynin në shtëpi, nuk dinim ku të futeshim. Por nga ana tjetër aty siguronim edhe të ardhurat. Ku të punoj tani? Me se t’i rris fëmijët? Do më sigurojë shteti punë? Na bën dëm jo vetëm ne si qytet, por nga tërë anët e Shqipërisë. Kishte punëtorë edhe nga Tirana, Durrësi, Elbasani. Lazarati mblidhte nga tërë Shqipëria, deklaron ajo.
Në vështrim të parë, Lazarati duket i shkretë. Ndoshta vapa e verës e ka mbuluar me këtë heshtje të çuditshme, ndërsa gjurmët e operacionit antikanabis janë të dukshme kudo. Tokat djerrë, me gropat e boshatisura, baltë dhe vetëm baltë. Me se do të merren nesër lazaratasit? Askush nuk e di, ndërsa ata vetë të japin si përgjigje një vështrim të zemëruar.Të vërteta të pabesueshme, jokultivues në Lazarat. Por Lazarati është vendi i paradokseve. Aty ku pothuajse të gjithë kishin gjetur si mënyrë sigurimi të të ardhurave, shpesh jo të pakta, kultivimin e kanabisit, pati prej tyre që nuk pranuan kurrsesi të bëhen pjesë e kësaj “tradite”, duke jetuar ndershmërisht, duke hapur bizneset e tyre apo mënyra të tjera punësimi. Rreth 40 familje të besimit islam, qëndruan larg kultivimit të kanabisit. Bledar Bejko, një prej tyre u shpreh për Ora News se ka qenë ligji moral dhe jo vetëm ai fetar që i ka diktuar këtë rrugë atij dhe vëllezërve të tij besimtarë.“Unë jam mysliman dhe kjo është arsyeja kryesore, por edhe edukata familjare, thotë Bejko. Fakti tregoi se disa prej banorëve realisht u nxituan, ndërsa shumica kishin kohë që u ishte rënduar shumë gjendja psikologjike dhe shpirtërore, për të mos harruar fitimin, por puna është se gjendja shpirtërore as nuk shitet, as nuk blihet. Banorët e kërkonin prej kohësh këtë gjë, vetë fshati thoshin “Kur do iki, kur do largohet kjo e keqe ???”. Ndoshta është për t’u diskutuar mënyra se si u hoq, por që shumica thoshin që duhet patjetër të iki, kjo është reale. Feja islame këshillon, e keqja të goditet në thelb” deklaronte Bejko.Policia prezente në Lazarat. Operacioni vijon. Miti i paprekshmërisë është rrëzuar.
Nga 800 forca policore pjesëmarrëse në këtë superaksion, tashmë nuk ka më shumë se 100 prej tyre prezente në Lazarat dhe kufijtë rrethues të tij. Kontrollet vazhdojnë në çdo ngrehinë në fshatit, çdo kilogramë kanabis do sekuestrohet, çdo kubik do asgjësohet, çdo armë e djegur ose jo, e hedhur në rrugë apo e groposur në bahçe do të merret si provë nga policia, ndërsa lista e të ndaluarve shtohet nga dita në ditë. Policia premton për kapjen e të gjithë autorëve të qëndresës ndaj policisë, shumë prej të cilëve enden të lirë. Policia premton për normalizim të jetës në Lazarat edhe pse banorët e Lazaratit do ta kenë të vështirë të ambientohen me këtë lloj normaliteti dhe zemërimi I tyre do të dojë kohë të fashitet.Operacioni policor në Lazarat vijon, duke shënjuar kudo ku policia kryen kontrollin e rradhës, gazetarët e shumtë janë larguar nga fshati kryefjalë i muajve të fundit. Kanë mbetur vetëm korrespondentët vendas të cilët herë pas here kthehen në fshat dhe përballen me sytë paragjykues të banorëve të Lazaratit që ende vazhdojnë të mos I duan mes tyre.Lazaratit i është prishur rehatia, normaliteti i tyre është thërrmuar si copëzat e qelqit, të pangjitshme sërish, miti i paprekshmërisë është rrëzuar. Tashmë ka humbur, bashkë me gjelbërimin e kanabisit.