Gjiknuri fton investitorët amerikanë, Arvizu: Mundësi bashkëpunimi

Bashkëpunimi në sektorin e Energjisë dhe Industrisë, si dy element kyç të ekonomisë në vend ishte tema e diskutimeve mes Ambasadorit Amerikan Aleksandër Arvizu dhe Ministrit të Energjisë, Damian Gjiknuri. Të dy ndanë mendimin se Shqipëria ofron potenciale të mëdha për të thelluar bashkëpunimin ekonomik dhe ka projekte ku mund të punohet sëbashku në të ardhmen.Ambasadori Arvizu konfirmoi interesimin e kompanive amerikane për garat që pritet të zhvillohen në fushën e hidrokarbureve në Shqipëri. Ndërsa nga ana e tij ministri Gjiknuri gjeti rastin të inkurajojë investitorët amerikanë, “që të mund të shfrytëzojnë potencialet e Shqipërisë për të kryer investime të cilat mund të çojnë përpara edhe zhvillimin ekonomik të vendit.”Në takim u fol për investimet në sektorin e naftës dhe gazit, projekti i gazsjellësit Transadriatik (TAP) dhe sektori i hidrokarbureve në tërësi. Gjithashtu u fol edhe për ndihmën e USAID-it në reformimin e sektorit të shpërndarjes së energjisë elektrike dhe rritjen e performancës së kompanisë pas shtetëzimit të plotë të saj.