Nishani në Kroaci, takime të veçanta me Nikoliç e Jahjagën
Kroaci- Në kuadër të pjesëmarrjes në Takimit të Kryetarëve të Procesit të Brdo-Brijunit, që po zhvillohet në Kroaci, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi sot paradite një takim me Presidentin e Serbisë, Tomislav Nikoliç.Gjatë takimit u ra dakord për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht në fushat e arsimit, kulturës, ekonomisë.Kreu i Shtetit shqiptar u shpreh se pavarësisht qëndrimeve diametralisht të kundërta që ndajmë lidhur me çështjen e Kosovës, realiteti dikton një bashkëpunim të fokusuar rajonal, mbi objektivin kryesor të integrimit evropian.Nën këtë frymë po zhvillohet dhe dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel dhe Presidenti Nishani nënvizoi se zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura me ndërmjetësimin e Baroneshës Ashton dhe asistencën e Sh. B. A.-ve është shumë i rëndësishëm për të dy vendet, edhe për proceset e tyre respektive të integrimit.Presidenti Nishani shprehu solidarizimin ndaj Serbisë për përmbytjet që sollën pasoja shumë të rënda për vendin, duke shpresuar që Konferenca e donatorëve që do të mblidhet së afërmi në Vjenë të rezultojë e suksesshme.Nishani zhvilloi një takim dypalësh edhe me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga. Gjatë takimit u diskutua lidhur me bashkëpunimin dypalësh, duke shprehur kënaqësinë për arritjet që kanë shënuar të dy vendet gjatë kësaj kohe.Presidentja Jahjaga vlerësoi se statusi i vendit kandidatit për në Bashkimin Evropian që iu dha Shqipërisë, ishte një inkurajim shumë i madh edhe për rajonin, e veçanërisht për Kosovën, duke nxitur përparimin në zbatimin e reformave të nevojshme si për liberalizimin e vizave, ashtu edhe për nënshkrimin e MSA-së.Të dy Presidentët ranë dakord se, veçanërisht në kuadër të nismave rajonale, të cilat po priren gjithnjë e më shumë drejt projekteve strategjike, duhet të paraqitemi me projekte konkrete, të cilat rrisin automatikisht përmasën dhe efektshmërinë e bashkëpunimit.Presidenti Nishani, e garantoi Presidenten Jahjaga se Shqipëria do të vazhdojë të koordinojë qëndrimet në kuadër të nismave dhe organizatave shumëpalëshe ku Kosova është apo aspiron të anëtarësohet me të drejta të plota, dhe se së bashku duhet të nxisim qeveritë në të dy vendet tona të zhvillojnë projekte me impakt të drejtpërdrejtë për vendet tona, bazuar mbi këtë vullnet solid të ndërsjellë.