Meminaj: Riformatim të strukturave të PD, do kthejmë besimin e vlonjatëve
Vlorë- “Pranoj gabimet e drejtimit të Partisë Demokratike deri më tani dhe premtoj se do të ndryshoj qëndrim kundrejt demokratëve të Vlorës”.Ky ka qenë zotimi i parë i kreut të ri të PD-së Vlorë, Mojsi Meminaj i zgjedhur rishtazh në zgjedhjet e së premtes ku kryesoi me 260 vota kundrejt kandidates Valbona Mezini.Meminaj tha se Partia Demokratike e Vlorës ka nevojë për një riformatim të strukturave dhe për të ndryshuar imazhin që kjo forcë politike ka krijuar vitet e fundit në Vlorë, duke u rikthyer demokratëve besimin te subjekti i tyre politik.“ Tashmë dihet që mazhoranca pas Tiranë ka instaluar shtabin e saj elektoral në Vlorë, ku deputeti i zonës është Kryeministër. Do jetë një sfidë dhe një opozitë e fortë, reforma kryesore do jetë ringritja e PD dhe strukturave të saj. Fitimi i besimit të humbur të qytetarëve, ne demokratët kemi mësuar nga gabimet tona dhe do mundohemi që të gjitha gabimet ti kthejmë në oportunitete.Në platformën për ringritjen e PD, shumë shpejt do dalim me grupe pune në terren. Sipas funksioneve të ndryshme , grupe pune për ekonominë, rendin, mjekësinë, arsimin. Grupet e punës do bëjnë një analizë të detajuar të gjithë situatës. Nuk do të merremi me premtimet e mazhorancës, por do shikojmë në terren se çfarë mungon” deklaroi Meminaj.“Ish-të përndjekurit politik janë zemra e këtij subjekti e si të tillë ata do jenë pjesë e rëndësishme në funksionimin e degës së PD-së Vlorë”,tha më tej ai.Referuar pozitës dhe qëndrimit të subjektit politik që ai tashmë drejton, Meminaj u shpreh se nuk do të jetë bllokues, opozitë e fortë por pa munguar bashkëpunimi aty ku në themel do të jetë interesi i qytetarëve vlonjatë.Meminaj vjen në krye të Partisë Demokratike të Vlorës duke zëvendësuar kreun e mëparshëm Ardian Kollozi , ndërsa është pjese e strukturave të Partisë Demokratike që prej viteve ‘90 .