Fier, zhduken të rinjtë rrugës për Greqi, familja Pelivani: Ndihmoni të gjejmë Erin
Fier - Eri Pelivani, 22-vjeçari nga Pojani i Fierit, duket se ka pësuar të njëjtin fat si babai i tij, i humbur vite më parë. Prej 10 ditësh ai ka humbur kontaktet me familjen, pasi u nis ilegalisht drejt Greqisë me disa shokë të tij.Fatkeqësisht, shoku i tij i udhëtimit, Kristian Çollhai, u gjet i pajetë në Greqi, ndërsa nga Eri nuk ka asnjë lajm. Nëna e tij Florika, me lot në sy kërkon ndihmë nga shteti për të gjetur djalin e saj, i cili në mënyrë të mistershme është zhdukur pa lënë asnjë gjurmë.
Duke u përlotur para mikrofonit të "Ora News", nëna e 22-vjeçarit rrëfen historinë dhe gjen forca të kërkojë ndihmë: “Janë nisur bashkë me dy shokë të Kristianit nga Durrësi. Tani menjeherë që morëm këtë lajmin e vdekjes së Kristiani, u shqetësuam dhe ne, sepse edhe djali ynë ishte me të. Do të shkonin të punonin, donin të jetonin... Që atë ditë që ka ikur, ne nuk kemi komunikuar me djalin. Unë kërkoj nga shteti të më ndihmojë. Sido të jetë, djalin e dua këtu,"- thotë duke fshirë lotët.Dhimbja në familjen Pelivani tani është shtuar shumë, pasi vite më parë ai ka humbur edhe babanë.Nëna vazhdon rrëfimin e saj: "Mezi i kam rritur. Për arsye familjare, nuk kemi të ardhura të shkojmë ta kërkojmë djalin. Nuk them dot se ka qenë me dokumenta, pasaportën e mori, por nuk e di nëse e mori me vete apo e la diku. U nis me Kristian Çollhain dhe dy shokë të tij, ata nuk i njohim. Tani Kristiani u gjet i mbytur e ne nuk dimë gjë për djalin tonë. Edhe babain nuk e ka, ka që në vitin 2003 i humbur dhe ndoshta nga kjo e ka vrarë ndërgjegjia, donte…Çfarë të them unë. I lutem shtetit të më ndihmojë në këtë drejtim, të më gjejë djalin,”- lutet Florika.Ndërsa, në një familje tjetër, në familjen Çollhai, është hapur dera për ceremoninë mortore në pritje të trupit të Kristianit 28-vjeçar. I ati tregon lajmin e hidhur që e mësoi të premten.
“Më njoftuan në degë dhe vajta; më njoftuan që është gjetur një person me këtë emër, me këtë kështu… Vajti dhe e verifikoi pastaj byrazeri i madh. Akoma s’kemi përgjigje se kur do vijë, kur do kthehet. Vajti 10 ditë. Nuk na lajmëroi para se të ikte,”- shprehet babai i Kristainit.Ndërsa halla e Kristianit, Monda Çuko, kërkon ndihmë nga shteti për të sjellë trupin e nipit të saj në familje. Sipas saj, pala greke kërkon 2 mijë euro për të sjellë trupin, shumë të cilën familja nuk e përballon dot.Tanimë, një shpresë e mban Florikë, nënën e Eri Pelivanit më këmbë, që të mësojë për djalin e saj Erin dhe, sidoqë të jetë, shteti të ndihmojë për ta gjetur dhe kthyer në shtëpi.Oranews.tv