Maqedoni, paraburgim 30 ditor për tetë protestuesit e 4 korrikut

Maqedoni- 8 protestuesit shqiptarë që u vunë në pranga pas protestës së 4 korrikut në Shkup dhe Tetovë, janë lënë për 30 ditë në paraburgim. Vendimi erdhi pikërisht në ditën që në kryeqytetin maqedonas u zhvillua një protestë madhështore e shqiptarëve, por që përfundoi paqësisht.Gjatë seancës së mbajtur në gjykatën themelore, 8 të rinjtë janë akuzuar për dhunë ndaj policisë, duke lënë të lënduar disa prej tyre, por dhe për dëme të shkaktuara në fasadat e disa objekteve.Fillimisht ndaj tyre ishte dhënë masa e sigurisë 8 ditë burg, por në seancën e së premtes gjykata zgjati afatin e paraburgimit, me 30 ditë të tjera. Ky vendim erdhi pak orë pasi përfundoi e qetë protesta madhështore e shqiptarëve në Shkup. Protestuesit u nisën nga xhamia “Jahja Pasha” për arritur më pas në Bit Pazar.Në deklaratën e lexuar nga njëri prej familjarëve të dënuarve kërkohet tu jepet fund proceseve të montuara politike. Gjithashtu kërkohet shkarkimi i prokurores Gordana Geshovska dhe e gjykatësit të këtij rasti, dorëheqja e Ministres së Brendshme Gordana Jankulovska dhe lirimi i të gjithë të ndaluarve gjatë protestave të mëparshme në Shkup dhe Tetovë.Mes protestuesve kanë qenë edhe kryetari i komunës së Strugës Zijadin Sela, ish-deputeti Hysni Shaqiri,publicisti Kim Mehmeti dhe boksieri Nuri Seferi .Shkupi u blindua nga forca të mëdha policore dhe automjete, duke mos lejuar përpjekjen e protestuesve për tu tubuar para gjykatës së Shkupit. Gjatë protestës ka pasur herë pas here gurë në drejtim të policisë, por nuk është raportuar ndonjë i lënduar.Kjo protestë vlerësohet e qetë krahasuar me protestën e javës së kaluar në Shkup, gjatë së cilës kishte përplasje të policisë me protestuesit, përdorim të ujit, gazit lotësjellës nga policia dhe gjuajtjeve me gurë dhe mjeteve të tjera të forta nga protestuesit.Me protestën në Shkup u solidarizuan qindra të rinj nga Kosova që ishin mbledhur në vendkalimin kufitar Hanit i Elezit. Edhe në Tiranë pati një tubim të një grupi të rinjsh dhe ish-të përndjekurve politikë.Ndërsa dhjetra protestues shqiptarë u mblodhën para Parlamentit Europian në Bruksel me flamuj kombëtar dhe pankarta kundër dënimit të shqiptarëve për rastin “Monstra”.