Këshilltarët e PD në Korçë bojkotojnë Këshillin e qarkut, Mano: Kryetari ilegjitim
Korçë- Nuk kanë të sosur përplasjet mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste në këshillin e qarkut Korçë.Pasi mori shumicën PS me ndihmën e 4 këshilltarëve të djathtë të cilët ndërruan kurs politik nga majtas-djathtas, duket se Partia Demokratike ende nuk e ka kapërdirë këtë tradhëti dhe ka vendosur të bojkotojë të gjitha mbledhjet e Këshillit.Kreu i ri i PD-së së Korçës, Andrea Mano, tha se ky këshill është i paligjshëm dhe Kryetari i Këshillit nuk mund të marrë asnjë vendim, pasi nuk ka një mandat këshilltari në Këshillin e Bashkisë së Korçës.Mano shtoi se për sa kohë që gjykata është shprehur për pavlefshmëri të mandatit të Irena Nikaj, dhe deri në një vendim të prerë të gjykatës PD nuk do ta njohë atë si kryetare.Edhe pse kanë kaluar gati dy muaj nga zgjedhja e kryetarit të ri të Këshillit të qarkut, ky institucion ende është pa buxhet për shkak se nuk është miratuar.