PD: Ndërtimi në sheshin e Korçës, interesa klienteliste
Korçë- Partia Demokratike denoncon ndërtimin e një objekti në sheshin para teatrit Çajupi në Korçë. Sipas koordinatorit për Ndihmë Ligjore, Ervin Salianji ky ndërtim prish sheshin kryesor të qytetit për interesa qeveritare.Salianji tha se ky akt është shprehje e interesave klienteliste të qeverisë dhe miqve të tyre në pushtetin lokal.“Kjo që po ndodh sot këtu, në një prej 2 shesheve kryesore të qytetit, është simboli i vërtetë e kësaj qeverisje. Një qeverisje pa transparencë, pa llogaridhënie. Qytetarët e Korçës nuk e dinë se pse ka mbirë ky rrethim. Nuk ka asnjë tabelë se nga kush dhe çfarë është ky rrethim në mes të qytetit. Eshtë si të godasësh qytetin e Korçës në thelb të identitetit të tij. Ky është një nga dy sheshet kryesore të këtij qyteti. Partia Demokratike dënon këtë arrogancë dhe papërgjegjshmëri të strukturave qeveritare vendore dhe qendrore të cilat kanë të njëjtën mendësi dhe të njëjtin mentalitet në mënyrën e funksionimit të qeverisjes. Partia Demokratike e dënon fuqimisht këtë akt, këtë çiban që bëhet për interesa klienteliste të qeverisë dhe miqve të saj në kurriz qytetit të Korçës, qytetarëve të saj dhe bizneseve që po asfiksohen nga dita në ditë”, tha Salianji.e.k/orannews.tv