Tajfuni “Neoguri” frikëson Japoninë

Qindra dhe mijëra personave u është bërë thirrje të kërkojnë strehim në Japoni, teksa tajfuni i fuqishëm "Neoguri" po kalon mbi ishullin Okinaua dhe ishujt e tjerë përreth.Tajfuni do të shoqërohet me erëra të forta dhe shira të rrëmbyeshëm. Dhjetëra fluturime janë anulluar ndërsa shkollat janë mbyllur. Pamjet televizive lokale tregojnë palma të rrëmbyera nga era. Sipas meteorologëve, kjo stuhi mund të rezultojë një nga më të fortat që ka goditur ndonjëherë Japoninë, duke gjeneruar në dallgë të frikshme, deri në 14 metra të larta."Ekziston rreziku për erëra me një forcë të papreçedentë dhe shira të dendura. Ju lutemi shmangni aktivitetet e panevojshme jashtë shtëpisë", paralajmëruan autoritetet mbrëmjen e së hënës. Ata u bënë thirrje 480 mijë banorëve në Okinaua të qëndrojnë në shtëpi, të mos dalin për asnjë arsye apo të shkojnë të strehohen përkohësisht në qendrat komunitare.Mbi 50 mijë shtëpi raportohet të kenë mbetur pa energji, ndërkohë që një rafineri nafte ka ndërprerë operacionet. Në orën 12:00 me orën lokale, tajfuni "Neoguri" po drejtohej në veri me një shpejtësi prej 25 kilometrash në orë, raporton agjencia e lajmeve "Kyodo".Okinaua, prefektura e ekstremit jugor të Japonisë që përfshin edhe disa ishuj të vegjël, është shtëpi e bazave më të mëdha ushtarake amerikane. Rreth 26 mijë trupa janë vendosur atje në bazë të një marrëveshjeje afatgjatë SHBA-Japoni. Madje zyrtarët kanë evakuuar edhe avionët në bazën ajrore Kadena, sepse era mund të jetë aq e fortë sa mund të shkaktojë ndonjë tragjedi.Sipas meteorologëve, tajfuni "Neoguri" mund të zhvendoset më pas drejt ishullit Honshu, në veri të Japonisë.