Arrestohet zyrtari për shitje të biletave në treg të zi
Policia braziliane ka arrestuar drejtorin e një kompanie partnere të FIFA-s si pjesë e hetimeve për shitjen e paligjshme të biletave të Kupës së Botës.Ray Whelan, u arrestua të hënën në një hotel në Rio de Janeiro, në të njëjtin hotel ku po qëndrojnë edhe ekipet e botërorit dhe zyrtarët e lartë të FIFA-s. Whelan akuzohet për kryesimin e rrjetit ndërkombëtar që merrej me shitjen në treg të zi të biletave.Vetëm një javë më parë, për këto akuza, u arrestuan 11 persona, pjesë e një rrjeti ndërkombëtar. Policia deklaroi se më shumë se 90 milion dollarë janë përfituar nga personat të cilët kryenin shitjen e paligjshme të biletave, mes të cilave kishte edhe qindra bileta origjinale por që shiteshin me cmim të shumëfishuar, të cilat më së shumti iu shiteshin turistëve të huaj.Kjo skemë mendohet të ketë funksionuar në 4 botërorë. Personave të arrestuar u sekuestruan gjatë arrestimit 100 bileta, kompjutera, celularë dhe një shumë parash. Javën e kaluar autoritetet braziliane thanë se kishin identifikuar personin e parë, zyrtar të FIFA-s, i cili dyshohej të ishte përfshirë në këtë rrjet dhe ishte zbuluar nga thirrjet telefonike.Ray Whelan ka patur akses në cdo stadium të Brazilit, në zyrat e FIFA-s dhe në zona të tjera administrative. Të arrestuarit do të përballen me akuzat e 'pastrimit të parave' dhe shitje të 'paligjshme të biletave'.Në reagimin e saj zyrtar, FIFA tha se ofron bashkëpunimin e saj me autoritetet lokale dhe do të jetë e hapur për cdo informacion që mund të cojë në zbulimin e këtij rrjeti.