Ushtria ukrainase fiton terren në 2 qytete të tjera

Qeveria ukrainase ka bërë të ditur se forcat e saj ushtarake kanë arritur që përgjatë të dielës të marrin kontrollin edhe në 2 qytete të tjera në lindje të vendit, që në muajt e fundit ka qënë bastion i rebelëve pro-rusë.Në një deklaratë zyrtare të presidentit të vendit, Petro Poroshenko, shpërndarë për mediat, nënvijëzohej se flamuri kombëtar i Ukrainës është ngritur në 2 qytetet në jug të Sllovianskut, në Artemivsk dhe Druzhkivka.Ky avancim i ushtrisë vjen një ditë pasi arritën të marrin nën kontroll pjesën më të madhe të Sllovianskut duke larguar prej andej militantët filorusë. Ndërkaq, më shumë se 2 mijë separatistë janë mbledhur në qendër të 'Republikës së Donetsk-ut', duke shpalosur vendosmërinë e tyre për të mbrojtur qytetin.Një pjesë e tyre kanë sulmuar edhe godinën e burgut shtetëror në përpjekje për tu furnizuar me armatime. Pavarësisht se ditët e fundit kanë humbur ndjeshëm terren, rebelët ende vijojnë të mbajnë nën kontroll qytetet e Donjetskut dhe Luhanskut dhe disa zona të tjera.Madje ata i bënë thirrje edhe presidentit rus, Vladimir Putin, që ti ndihmojë, duke dërguar atje ushtrinë ruse dhe armatime. Një ditë më parë, presidenti Poroshenko tha se rimarja e Sllovianskut është një pikë kthese për konfliktin në lindje të vendit, por jo një fitore e plotë. Por ai tha se ky është fillimi i kthesës në luftën kundër militantëve. Zyrtarët ukrainas thanë se së shpejti do të nisë edhe shpërndarja e ndihmave për banorët e zonës që vuajtën nga konflikti.