Kushtetuesja sqaron Jahjagën: Thaçi mandatohet i pari, më pas Haradinaj
Kosovë- Kosova shumë shpejt do ta ketë qeverinë e re. Gjykata Kushtetuese tashmë ka vendosur: I pari që do të mandatohet nga Presidentja Jahjaga për krijimin e koalicionit qeveritar do jetë kreu i partisë fituese në zgjedhjet parlamentare, Hashim Thaçi.Nëse përpjekjet e tij dështojnë brenda 15 ditëve, trofeu sipas të gjitha gjasave i kalon Haradinaj, si kandidati për Kryeministër nga marrëveshja e tre partive opozitare.Një burim i Gazetës Express ka thënë se Gjykata ka vendosur 1 me 1.“Gjykata ka vendosur 1 me 1. Kjo i bie se Presidentja fillimisht mandaton Hashim Thaçin si drejtuesin e koalicionit që ka fituar në zgjedhje, dhe nëse ai brenda 15 ditësh nuk arrin ta krijojë Qeverinë, Presidentja nis konsultimet me partitë politike dhe kush ofron më shumë deputetë, i jepet mundësia. Që në këtë rast i bie se mandaton z. Ramush Haradinaj si kandidat për Kryeministër i koalicionit LDK-AAK-Nisma, e që përbën shumicën në Parlamentin e Kosovës”, ka thënë burimi i Gazetës Express, brenda Gjykatës Kushtetuese.Edhe pse sot Gjykata mori vendim, ajo nuk e ka publikuar atë për shkak të çështjeve procedurale të brendshme dhe përkthimit të tekstit në tri gjuhë. Gjykata Kushtetuese vendos se kush do ta themeloj Qeverinë, por vendimi publikohet ditëve në vazhdim.“Të hënën, më 30 qershor 2014, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, ka shqyrtuar dhe ka vendosur për rastin KO103/14, të parashtruar nga Presidenti i Republikës së Kosovës, përkitazi me vlerësimin e përputhshmërisë së nenit 84 [Kompetencat e Presidentit], paragrafi 14, me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.Gjykata Kushtetuese do ta publikojë vendimin në ditët në vijim”.