Haradinaj: E ardhmja e Kosovës pa “park të paqes” dhe pa barrikada
Kosovë- Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dhënë sot vlerësimet e tij edhe për protestën e djeshme në Mitrovicë dhe eskalimin e situatës në këtë protestë.Haradinaj e ka vlerësuar këtë, si veprim të nxituar duke thënë në anën tjetër se qetësia është shumë e rëndësishme, dhe se e ardhmja do të jetë pa “park të paqes” dhe pa barrikada.“Atje besoj se është me rëndësi me pas qetësi më së pari në veri, mos me u nxitë, ose mos me u nxitue me veprime askush. Për shkak se e ardhmja do të jetë e mirë, do të jetë pa “park të paqes”, pa barrikada, pa mosbesim të ndërsjellët. Mendoj se fokusimi më i madh duhet me shku kah krijimi i besimit të ndërsjellët jo me veprime të nxitume”, thotë Haradinaj.Përveç kësaj, kreu i AAK-së ka folur edhe për kushtet e Vetëvendosjes për t’ju bashkuar koalicionit të opozitës, i cili u krijua nga AAK-ja, LDK-ja dhe Nisma.Haradinaj thotë se ende nuk iu kanë përgjigjur kushteve të Lëvizjes Vetëvendosje, por që ai ka bërë me dije se janë në drejtim të mirë të dialogut me Vetëvendosjen, dhe thotë se do të takohen në ditët në vijim për këtë çështje.Këto komente Haradinaj, i ka bërë pas takimit me ambasadoren e Belgjikës në Bullgari, jorezidente për Kosovën, Anik Van Calster, të shoqëruar nga shefi i Zyrës Belge në Prishtinë, Pascal Gregoire me bashkëpunëtorë.Në këtë takim thanë se është diskutuar për zhvillimet aktuale në Kosovë, proceset nëpër të cilat po kalojmë dhe rolin e rëndësishëm të Aleancës në kuadër të tyre, e Van Calster thotë se është diskutuar edhe për të ardhmen evropiane të Kosovës.Marrë nga Kosova Press