Protestat dje në Mitrovicë, 10 të arrestuar dhe 17 të plagosur. Sot zgjohet e qetë

Pas protestës së dhunshme dje në Mitrovicë, ku qindra persona kundërshtonin vendosjen e barrikadës mbi lumin Iber, sot situata paraqitet e qetë.Pas ndërhyrjes, policia e Kosovës ka arrestuar dhjetë persona.Drejtori i policisë për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaqi tha se 17 persona janë plagosur, prej të cilëve shtatë janë pjesëtarë të policisë dhe 10 të tjerët janë protestues. Ai shtoi se 4 makina të policisë janë djegur si pasojë e perleshjve.Dje situata në Mitrovicë u tensionua pasi protestues nga qytete të ndryshme të Kosovës ishin mbledhur për të mbajtur një protestë paqësore, pas vendosjes së barrikadës së re nga serbët e veriut, mbi urën e Ibrit. Por nuk kaloi shume, dhe turma tentoi të thyejë kordonin policor.Kjo ishte edhe pika ku nisi edhe konfrontimi i ashpër, i cili çoi edhe në përdorimin e gazit lotsjellës , por edhe plumbave prej gome nga ana e policisë në drejtim të demontruesve. Protestuesit i vunë flakën makinave të policisë dhe nisën të qëllonin me sende të forta ndaj forcave të rendit.Situata përshkallëzoi aq shumë sa në ndihmë të policisë erdhën edhe përforcime nga EULEX, ndërsa pjesëtarët amerikanë të KFOR-it qëndruan me pajisjet e tyre ushtarake mbi urën e Ibrit, duke vëzhguar protestën. Situata mori edhe vemendjen e politikës, ku kryeministri Hashim Thaçi i bëri thirrje turmës për përmbajtje, ndërkohë që Presidentja e Kosoves Ahtifete Jahjaga, pasi dënoi aktet e dhunës, i bëri thirrje Bashkimit Europian të gjendet një zgjidhje për heqjen e barrikades mbi urën e lumit Iber.Kurse Ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi bëri përgjegjës për dhunën e shkaktuar kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtirin, i cili - sipas Rexhepit - një ditë më parë bëri deklarata të papërgjegjshme, duke i nxitur qytetarët të përshkallëzojnë situatën.