AGK dënon dhunën ndaj gazetarëve në Mitrovicë
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shpreh shqetësim për dhunën e ushtruar gjatë protestës së djeshme në Mitrovicë, ku si pasojë e sulmeve dhe përdorimit të gazit lotsjellës, mbetën të lënduar gazetarët, Behar Mustafa nga BIRN dhe korrespodenti i Gazetës “Zëri”, Kajtaz Gecaj.“Lajmi se Behar Mustafa, gazetar i BIRN-it është sulmuar nga një grup protestuesish afër urës së Ibrit në Mitrovicë, duke e detyruar atë t`i nënshtrohej trajtimit spitalor, paraqet shqetësim për gjendjen me të cilën përballen gazetarët gjatë ushtrimit të profesionit të tyre”, thuhet në njoftimin e tyre.AGK thotë se dhuna e shfrenuar grupore ndaj gazetarit është akt i shëmtuar, qyqar dhe skandaloz i cili nuk përkon me një shoqëri të lirë dhe demokratike.AGK thekson se sulmet ndaj gazetarëve, të çfarëdo lloj përkatësie etnike qofshin ata, janë të papranueshme, përderisa konsideron se aktet e tilla nuk janë të drejtuara vetëm ndaj individëve, por ndaj lirisë së mediave, fjalës së lirë dhe ndaj të drejtës së qytetarëve për të qenë të informuar.Asociacioni i Gazetarëve fton institucionet e rendit por edhe individët e caktuar, që të heqin dorë nga dhuna dhe t`i lënë gazetarët të lirë ta kryejnë punën e tyre, me qëllim të informimit të opinionit.AGK fton institucionet e drejtësisë që të ndërmarrin masat e nevojshme për ndriçimin e këtyre akteve dhe vënien e autorëve para drejtësisë.Ndërsa kolegëve Behar Mustafa dhe Kajtaz Gecajt, AGK u dëshiron shërim sa më të shpejt dhe kthim në punën e tyre të përditshme në shërbim të informimit të qytetarëve.Marrë nga KosovaPress