Basha: Pasiguria në nivele ekstreme; Rama: Kush bën politikë me krimin, ushqehet prej tij

Tepelenë-Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, teksa ka shprehur dhimbjen dhe tronditjen e thellë për ekzekutimin mafioz te biznesmenit Artan Santo, ka theksuar se kjo është shenjë e pasigurisë për jetën që ndihet në të gjithë vendin.Pasiguria eshte në nivele ekstreme dhe shqiptaret kanë nevojë për ofertë të re, ka deklaruar kryeopozitari nga Tepelena, ku ka marre pjesë në Kuvendin Zgjedhor.“Pasiguri në nivelet më ekstreme. Sot ka ndodhur një ngjarje tronditëse. Në mes të Tiranës është ekzekutuar publikisht, me një stil mafioz, një pronar dhe drejtues banke. Përkeqësim evident në gjithë bazamentin dhe shtyllat e demokracisë, me goditjet e pandalshme ndaj institucioneve të pavarura duke dashur t’i marrin nën kontrollin e tyre me intensifikimin e eksperimentit famëkeq të shitblerjes së votave dhe shkatërrimit të zgjedhjeve të lira, me shkelmimin e konsensusuit dhe arritjeve të përbashkëta, duke dashur të imponojmë vullnetin e tyre antikushtetues dhe antiligjor në sa e sa e raste të provuara edhe nga vendimet e Gjykates Kushtetuese, me rekorde arbitrariteti dhe paligjshmërisë, me rikthimin në kohërat më të këqija të konfliktualitetit në vend”, tha Basha.Ky realitet i hidhur që ka mbërthyer vendin ka bërë që qytetarët të rikthejnë sytë drejt PD-së, tha zoti Basha, ndaj sipas tij sot është detyrë e demokratëve t'i ofrojnë Shqipërisë rrugën e zhvillimit dhe integrimit.“Përballë këtij realiteti të hidhur, është detyrë e PD-së tju japim shqiptarëve një ekip të ri, një ofertë të re, zgjidhje të reja, një rrugë tjetër për Shqipërinë duke bërë të mundur përmes platformës tonë realizimin e shpresave dhe aspiratave tona për mirëqënie për të ardhme të sigurt për integrim europian, për demokraci”, tha Basha.Deklaratat e kreut të opozitës kanë marrë menjëherë kundërpërgjigjen e kryeministrit Rama. Në një postim në fb, shefi i qeverisë dhe kreu i socialistëve, ku shkruan se një opozitë që bën politikë me krimin ushqehet nga krimet dhe pisllëqet.

"Te besh politike edhe me krimin e sotem do te thote te jesh nje opozite qe ushqehesh jo nga aspiratat,as nga idete,po nga krimet e pislleku!"
Deklarata e Ramës ka marrë përgjigje nga selia blu. Kryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka, në një deklaratë të shkurtër për mediat akuzon Ramën për politikë me krimin, për shkak se bashkëqeveris me të, sipas tij.“Ka një person që bën politikë me vrasjen, ai është Edi Rama. Edi Rama bën politike me vrasjen sepse bashkëqeveris me krimin. Në vend që të pranojë dështimin e turpshëm me rendin, akuzon opozitën. I paturpshëm, i paaftë dhe në një karrige me krimin është Edi Rama”.