Gjiknuri: Vendi ka nevojë për diversifikimin e burimeve energjitike
Gazi natyror do të kthehet në një burim për prodhimin e energjisë elektrike në Shqipëri. Prodhimi i energjisë vetëm nga hidrocentralet po kthehet në një kërcënim për furnizimin me energji elektrike pasi varet nga reshjet, dhe për ministrin tashmë ka ardhur koha që të gjenden burime të reja.Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri gjatë fjalës së mbajtur në konferencën "Hydro Tech Albania 2014" u shpreh se tashmë ka nisur të hartohet një masterplan për të parë potencialet“Shqipëria është një vend me prodhimin e energjisë në masën 100% nga burimet hidro. Një fakt, që sipas tij mund të jetë i mirë për por në të njëjtën kohë është kërcënues për ato raste kur nuk ka kushte të përshtatshme atmosferike dhe kalojmë në periudha thatësirash. Nëse më pyesni se cila është rruga më e mirë për vendin, unë do të thoja se është diversifikimi i burimeve. Ndoshta, nuk është kjo fjala që ju pëlqen ta dëgjoni, por vendi ka nevojë për diversifikimin e burimeve energjitike.Në të ardhmen, një burim me rëndësi mund të jetë gazi natyror. Ne po punojmë për të hartuar një masterplan për të parë se cilat janë potencialet e përdorimit të gazit",Ndër të tjera Gjiknuri u ndal edhe në vështirësitë që kanë hasur kompanitë pasi nuk kanë marrë pagesat nga shteti.“Disa prej reformave për të cilat po punojmë janë ligji i ri për energjinë, ligji që do të ndryshojë modelin e tregut e do të adresojë disa prej problemeve që kanë investitorët në këtë sektor. E di se disa prej operatorëve që mund të jenë të pranishëm edhe këtu vuajnë prej kohësh nga mungesa e pagesave dhe ne po bëjmë të gjitha veprimet e duhura për ta bërë sektorin likuid.”Gjiknuri u shpreh se po bashkëpunohet edhe me Kosovën që të shfrytëzohet fakti se ata kanë rezerva të mëdha qymyri.