Kolegji Zgjedhor pranon kërkesën e KQZ-së, 89 ZAZ në të gjithë vendin

Kolegji Zgjedhor ka marrë vendimin për pranimin e pjesshëm të kërkesës së KQZ-së duke pranuar ndarjen në 89 ZAZ në të gjithë vendin.Përfaqësuesi i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi  tha se propozimi i bërë nga PD, ishte i bazuar në ligj dhe se kërkesa e tyre synonte përmirësimin e standartit të proçesit të numërimit.“Zgjedhjet janë pronë e gjithë shqiptarëve dhe jo e partive politike, Partia Socialiste t'i shpjegojë vetë arsyet e këtij kundërshtimi absurd” u shpreh Bylykbashi.Menjëherë pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor ka reaguar përfaqësuesi i PS, Koli Bele i cili ka thënë: “Qëndrimi ynë është i qartë, vendimmarrja nuk është legjitime, Partia Socialiste kërkon të respektohet ligji, kjo është një lojë, Kolegji Zgjedhor nuk duhet të marrë këto lloj vendimesh.”Paraditen e sotme, përfaqësuesit e Partisë Demokratike kanë kërkuar shqyrtimin në themel të kërkesës së kësaj force politike për rritjen e numrit të ZAZ-ve.Përfaqësuesi i PD Ivo Kaso ka theksuar se nuk mund të lihet në fuqi 66 ZAZ duke shtuar se rritja e numrit të tyre do të garantojë numërim të shpejtë dhe me më shumë transparencë.Ndërsa përfaqësuesja e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve Dëshira Pasko theksoi se ndarja në 66 ZAZ është e pamjaftueshme për administrimin e procesit zgjedhor.“Ndarja në 66 ZAZ sjell mungesë efikasiteti. Propozimi i PD nuk është i mbështetur në ligj  dhe po kështu edhe propozimi i PS-së nuk ndihmon në administrimin e zgjedhjeve  prandaj por bëhet trajtim i pabarabartë i zonave” theksoi Pasko.Ajo ka shtuar më tej se ndarja e zonave të administrimit të zgjedhjeve është në kompetencë të KQZ-së, duke shtuar se propozimi për ndarjen me 89 ZAZ është funksionale dhe ligjore.Ndërsa përfaqësuesit e PS-së theksuan se kërkesa e Partisë Demokratike është në kundërshtim me ligjin pasi sipas tyre ndarja e ZAZ-ve duhet të bëhet në KQZ me negocim mes palëve.“Kolegji nuk ka tagër për këtë çështje dhe nuk mund ta shqyrtojë në themel atë. Prandaj ne kërkojmë mospranimin e kërkesës së PD për ndarjen territorit zgjedhor dhe për pushimin e çështjes” theksuan përfaqësuesit e PS-së.