Terminali multimodal,“Ital–Ferr” dorëzon draftin në Bashkinë e Tiranës

“Ital–Ferr” dorëzon draftin e studimit të fizibilitetit, për terminalin multimodal të pasagjerëve.Kompania italiane  “Ital – Ferr” i ka dorëzuar Bashkisë së Tiranës draftin e studimit të fizibilitetit dhe termat e referencës, për koncesionin e terminalit të ri të pasagjerëve në Tiranë.  Ky draft përfshin  studimin dhe analizat ekonomike të zhvillimit të transportit të udhëtarëve, për një afat 15 vjeçar, duke konceptuar dhe propozuar strukturën e terminalit, në një sipërfaqe prej  80.000m², në afërsi të kthesës së Kamzës.Drafti i studimit jep një planimetri të terminalit dhe parashikon zgjidhje për: 

  • parkimin e autobusëve, mikrobusëve dhe automjeteve të tjetra të transportit të pasagjerëve;
  • linjën hekurudhore  për stacionimin e  trenave që vijnë dhe nisen nga Tirana;
  • linjën për stacionimin e tramvajit, si zgjidhje alternative e transportit të pasagjerëve që do të hyjnë dhe do të dalin nga Tirana;
  •  rrugët e brendshme të qarkullimit të automjeteve, tramit, etj, në territorin e terminalit;
  •  ambientet ndihmëse për mirëmbajtje, shërbime e furnizime të mjeteve të transportit;
  •  ambientet sociale dhe hoteleri, për akomodimin e udhëtarëve
 Organizimi i funksionimit të terminalit përfshin autobusët ndërkombëtarë të kompanive shqiptare dhe të huaja, autobusët ndërqytetëse dhe urbane. Në pjesën lindore të këtij  terminali parashikohet parkimi i automjeteve private, me hyrje nga rruga e Stacionit të Trenit, ndërsa në pjesën perëndimore parashikohet parkimi i autobusëve ndërkombëtarë dhe ndërqytetëse si dhe  ambiente logjistike.Vendet e parkimeve të autobusëve, mikrobusëve, taksive dhe automjeteve private, për fazën e parë janë:
  • autobusë të linjave ndërkombëtare                                    34
  • autobusë të linjave ndërqytetës                                           57
  • autobusë të linjave urbane                                                   15
  • mikrobusë                                                                               48
  • parkim autobusësh                                                                26
  • taksi                                                                                          20
  • parkim i automjeteve private                                              100
 Nga ky terminal parashikohet të nisen dhe mbërrijnë në ditë: 
  • automjete                                                                   10 000
  • mikrobusë                                                                  3 700
  • autobusë                                                                     900
  • autobusë ndërkombëtarë                                        100
  • autobusë urbanë                                                       180
 Në këtë terminal do të vendoset stacioni i ri i trenit. Zhvendosja e stacionit të trenit i cili pritet të nisë brenda muajit janar i hap rrugë fillimit të ndërtimit të bulevardit të ri, projektuar nga studio arkitekturore britanike “Grimshaw”. Në terminalin multimodal të Tiranës do të jetë stacioni i tramit, shërbim i cili në Tiranë dhe Shqipëri do të ofrohet për herë të parë.Për studimin e  linjave të tramit në qytetin e Tiranës, BE dhe qeveria franceze kanë akorduar një fond prej 1 milionë e 250 mijë euro. Qeveria franceze ka miratuar 500 mijë  euro, për studimin e linjave të tramit, nga Kombinati në Kinostudio dhe nga Tirana e Re tek terminali multimodal, nëpërmjet bulevardit, ndërkohë që Bashkimi Evropian ka miratuar 750 mijë euro studim për linjën e tramit që do të shkojë rreth e qark unazës së qytetit. Ky terminal parashikohet të ketë një kosto investimi në vlerën 25 milionë euro (me t.v.sh), e cila planifikohet të financohet nga BERZH, nëpërmjet një kompanie konçensionare e cila do të përzgjidhet sipas procedurave të prokurimit të BERZH-it. Drafti është duke u studiuar me drejtoritë përkatëse në Bashkinë e Tiranës, me qëllim realizimin sa më objektiv dhe eficient të këtij projekti. Në tetor 2012, me një financim prej 500 mijë eurosh të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bashkia e Tiranës lidhi  kontratën e konsulencës me kompaninë italiane “Ital - Ferr, lider në fushën e studimeve dhe projekteve të transportit në Evropë, për hartimin e studimit të fizibilitetit dhe përpilimin e dokumenteve të tenderit të koncesionit, për terminalin e Tiranës. Kompania “Ital - Ferr” u përzgjodh pas një gare të fortë mes 11 kompanive prestigjioze ndërkombëtare.