Kodi i ri doganor, Cani: Hapi i parë drejt kthimit të doganave pa letër

Tiranë-Bizneset do të kenë më shumë lehtësira dhe mbrojtje në bazë të kodit të ri doganor. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ka prezantuar në komisionin e Ekonomisë dhe Financave ndryshimet që do të bëhen në procedurat që duhet të ndjekë biznesi në dogana.  Cani deklaroi se tashmë do ti jepet zgjidhje çështjes së vendosjes së gjobave si dhe ankimimit të tyre.“Kodi Doganor është akti bazë i funksionit të Doganave dhe është diskutuar gjatë me grupet e interesit.Kodi i ri Doganor është i nevojshem, pasi ai ekzistues është shumë i vjetër, nuk përmbush kriteret. Kodi i ri lehtëson punën e doganave dhe procedurat e biznesit. Biznesi do të ketë më shumë hapësira për t'u mbrojtur nga gjobat, pasi iu jepet e drejta për t'u dëgjuar. Kodi i ri Doganor do të jetë hapi i parë drejt kthimit të doganave pa letër “ tha ai gjatë raportimit në Komision.Një ditë më parë, Komisioni i Ligjeve kërkoi rishqyrtim për Kodin e ri Doganor. Deputetë të maxhorancës ngritën një sërë pikëpyetjesh në lidhje me kodin.Kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj, deklaroi se shumë nene të këtij ligji duhen rishqyrtuar pasi janë të komplikuara e janë marrë shabllon nga shtete të tjera dhe kjo sjell hapësira për korrupsionin.Ndërkohë deputeti, Bashkim Fino, ngriti shqetësimin për faktin se nenet e kodit doganor nuk hyjnë në fuqi në të njëjtën kohë. Ndërsa opozita kërkoi që kodi doganor të mos diskutohet me procedure të përshpejtuar.Kodi i ri është punuar edhe me ekspertë të Bashkimit Europian dhe synon rritje të standarteve të shërbimit që do të ofrojnë doganat.