Ja laboratori i përpunimit të drogës të Gate Mahmutaj

Rreth 800  forca të policisë të angazhuara në superaksionin në Lazarat kanë mundur të marrin nën kontroll gjatë ditës së djeshme një pjesë të fshatit. Policia ka zbuluar një laborator për përpunimin e lëndës narkotike në banesën e Xhezo Mahmutaj, vëllait të kreut të grupit kriminal të qëlloi mbi policinë. Në laborator  u sekuestruan një sërë pajisjesh, sasi të konsiderueshme lëndësh nakotike, si dhe u gjetën të kultivuara bimë kanabis sativa. Një tjetër laborator është gjetur dhe në objektet e Gate Mahmutaj, edhe ky i vënë në  kontroll nga forcat e policisë gjatë ditës së djeshme. Në vendgjarje u gjetën dhe gëzhoja fishekësh. Në zonën e marrë në kontroll nga shërbimet e policisë janë asgjesuar rreth 60 mijë rrënjë bimë narkotike, prej të cilave: rreth 15 mijë rrënjë kanabis në oborret e banesave, rreth 15 mijë fidanë gati për tu mbjellë në oborret e banesave, si dhe rreth 30 mijë rrënjë bimë narkotike me një lartësi nga 35-40 cm në tokat e komunës. Po ashtu është gjetur një sasi prej rreth 10 ton kanabis sativa e ambalazhuar në thasë, e cila është asgjesuar përmes djegies në vend, si dhe është marrë mostër në cilësinë e provës për ekzaminim.