Basha: Anëtarët e PD, kanë sjellë në krye energji dhe frymëzime të reja
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mori pjesë në kuvendet zgjedhore të PD-së në Tropojë dhe Has. Gjatë fjalës së tij, Basha deklaroi se me zgjedhjet në seksione, në bazë të statutit dhe udhëzimit të lëshuar, partia ka përjetuar në themelin e saj përtëritjen dhe qarkullimin e nevojshëm të një numri të madh të zgjedhurish.“PD ka vendosur në themel të organizimit të saj, në themel të sistemit të saj të karrierës dhe të promovimit të vlerave, një parim të shenjtë që është vota e lirë e anëtarëve të PD. Se vetëm me votë të lirë, sot e nga mot, do ta bëjmë PD-në më të madhe, më të fortë, më të bashkuar më tërheqëse për rininë, më të sigurtë në rrugën e saj të fitores si alternativa e pushtetit të së djathtës dhe qendrës në Shqipëri”, tha Basha.Kreu i PD ka shprehur para demokrateve bindjen se pushteti real është pushteti i votës. Duke vënë votën e anëtarësisë në themel të ripërtëritjes së PD, zoti Basha beson se demokratët duhet të marrin dhe meritojnë të marrin përgjegjësi, për të zgjedhur ata që do t’i çojnë në fitore.“Kjo është partia e të gjithë demokratëve. Të gjithë jemi aksionerë të barabartë në këtë parti. Askush nuk ka tagër t’u thotë demokratëve se për kë të votojnë. Askush nuk ka tagër tju mbajë dorën apo gojën demokratëve, askush nuk ka tagër t’u bëjë suflerin apo t’ju mbyllë opsionët. Kjo parti ka lindur e lirë, me vullnetin e lirë të Azem Hajdarit, Sali Berishës dhe themeluesve të tjerë, me vullnetin e zotit dhe me vendosmërinë time e tuajën do mbetet parti e njerëzve të lirë”, tha Basha.