Malajzi, mbytet anija, dhjetra indonezianë të zhdukur
Historia përsëritet, këtë herë në Malajzi. Një anije me 97 indonezianë në bord, është mbytur në Malajzi dhe sipas autoriteteve malajziane, 42 persona raportohen të zhdukur. Pasagjerët, të cilët përfshijnë edhe gra e fëmijë, sipas zëdhënësit të Marinës malajziane, janë emigrantë ilegalë.Anija prej druri u mbyt pak pas mesnatës në Port Klang, përpara se të mbërrinte në ngushticën e Malacca.Në zonë ka mbërritur menjëherë një varkë shpëtimi ndërsa dy të tjera ende pritet të mbërrijnë për të ndihmuar në operacionin e kërkim-shpëtimit. Anija e ndërtuar e gjitha me dru, ishte ilegale dhe nuk kishte asnjë lloj leje apo autorizimi për të lundruar në oqean. Ende nuk dihet se cili ishte destinacioni përfundimtar i emigrantëve ilegalë. Të 97 personat në bordin e kësaj anije ishin indonezianë, që punonin ilegalisht në Malajzi, të cilët dyshohet po tentonin të ktheheshin në shtëpitë e tyre për muajin e Ramazanit. Ndërsa sipas autoriteteve malajziane, ata ishin emigrantë ilegalë që po tentonin të hynin në Malajzi. Ende nuk dihet numri i saktë i viktimave por raportohen të zhdukur mbi 40 persona.