Kriza në Irak, militantët bombardojnë rafinerinë më të madhe të naftës
Situata në Irak sa vjen e vështirësohet. Militantët islamikë kanë sulmuar qytetin irakian me rafinerinë më të madhe të naftës, Baijin, me mortaja dhe me mitrolozë, duke qëlluar nga dy drejtime të ndryshme. Nga i gjithë qyteti vihen re shtëllunga të mëdha tymi ndërsa lajmi është konfirmuar për Reuters nga forcat e sigurisë por edhe punonjës të rafinerisë. Sulmi nisi rreth orës 4 të mëngjesit të sotëm, me orën lokale, në 2 nga 3 rafineritë kryesore. Madje, ata kanë arritur të hyjnë edhe brenda në komplekset e rafinerive. Pas këtyre sulmeve, forcat qeveritare kanë nisur një sulm ajror ndaj militantëtve, të cilët duket se dalëngadalë po avancojnë drejt kryeqytetit, Bagdad. Sulme të armatosura nga ana e militantëve të grupit islamik ISIS janë raportuar edhe në perëndim të Irakut, në qytetin Ramadi. Mbrëmjen e të martës, kryeministri i vendit, Nouri Al maliki doli në një prononcim për mediat përkrah liderit të Muslimanëve sunni dhe liderve kurdë, duke bërë thirrje për një bashkim kombëtar duke i kërkuar edhe forcave ushtarake që për asnjë moment të mos dorëzohen.Me një gjuhë aspak të zakontë dhe vërtet të ashpër, kreu i qeverisë në Bagdad, Al Maliki lëshoi akuza të drejtpërdrejta ndaj Arabisë Saudite, duke e cilësuar si përgjëgjëse për këtë situatë.