Operacioni dje në Lazarat, asgjesohen 60 mijë rrënjë kanabis dhe rreth 10 ton marijuanë

Mbi 60 mijë rrënjë kanabis dhe rreth 10 ton marijuanë janë asgjesuar nga forcat e policisë përgjatë operacionit të ditës së djeshme për të marrë kontrollin e çdo metër katror në Lazarat. Ndërsa 3 persona, mes tyre një efektiv i FNSH-së u plagos. Prej më shumë se 3 ditësh Lazarati mbahet i rrethuar nga forcat e policisë ndaj të cilëve kanë vijuar të qëllohet me armë nga një grup kriminal nga brendësia e fshatit Lazarat. Mbi 800 forca policore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, forcave speciale RENEA, forca të FNSH-së së Fierit, Shkodrës dhe Tiranës, si dhe të Delta Forcë në Vlorë u angazhuan gjatë ditës së djeshme. Po ashtu janë përfshirë dhe shërbime të tjera speciale të Drejtorive të Policisë së Qarqeve të tjera, si forcat elitë të shërbimeve të Tiranës, Shkodrës etj.  Këto forca janë mbështetur edhe nga mjete të posaçme.