Jahjaga dhe Nikoliç të gatshëm të takohen

Në përgjigje të deklaratave të presidentit serb, Timoslav Nikoliç se është i gatshëm të takohet me presidenten e Kosovës, Zyra e presidentes ka reaguar, duke shprehur qëndrimin se Jahjaga, që në ditën e parë të mandatit të saj e ka shprehur qëndrimin parimor dhe konkret se është e gatshme të takohet me këdo, kurdo dhe kudo në përfaqësim dhe mbrojtje të interesave të Republikës së Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur, duke respektuar mandatin e saj kushtetues dhe ligjor.Zëdhënësi i presidentes, Arbër Vllahiu, lidhur me këtë çështje ka dhënë një deklaratë për media.“Që në Samitin e katër Presidentëve të shteteve të rajonit, të mbajtur në Ohër të Maqedonisë, në korrik të vitit 2011, Presidentja Jahjaga e pranoi propozimin dhe ndërmjetësimin e Presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviç, për të pasur një takim me Presidentin e atëhershëm të Serbisë, Boris Tadiç. Gjithashtu edhe në takimin e katër Presidentëve që u mbajt më 4 dhe 5 dhjetor të këtij viti, në Budvë të Malit të Zi, ftesa për pjesëmarrje i ishte bërë edhe presidentit të Serbisë, Timoslav Nikoliç”, ka thënë Vllahiu.Sipas tij, kjo ishte një mundësi për takime multilaterale dhe bilaterale duke marrë parasysh se takimet e presidentëve të rajonit ndihmojnë në bashkëpunimin e ndërsjellë dhe në forcimin e paqes dhe të stabilitetit në rajon.Ai tha se Jahjaga në këtë Samit ka propozuar që ftesat për pjesëmarrje në Samitin e ardhshëm, që mbahet në Shqipëri, t’i dërgohet përveç Serbisë edhe Bosnjë e Hercegovinës.“Ditën e fundit të Samitit të Budvës kabineti i Presidentes së Kosovës është kontaktuar nga kabineti i Presidentit të Serbisë dhe është sugjeruar një takim i drejtpërdrejtë ndërmjet Presidentëve të të dyja vendeve. Gjithashtu nga zyrtarët e lartë të BE-së është kontaktuar Presidentja e Kosovës dhe është biseduar për mundësinë dhe modalitetet e takimit ndërmjet dy Presidentëve, si shtytje e procesit të dialogut dhe arritjes e zbatimit të marrëveshjeve që lehtësojnë jetën e qytetarëve dhe që ndikojnë në normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, tha ai.Më tej, zëdhënësi Vllahiu theksoi se presidentja Jahjaga i është përgjigjur pozitivisht një nisme të tillë duke e konsideruar edhe si nismë të saj, sepse takimet ndërmjet liderëve të dyja shteteve i kontribuojnë axhendës evropiane për marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe për zgjidhjen e çështjeve me anë të marrëveshjeve e dialogut.Sipas tij, pasi dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin dhe lehtësimin e Bashkimit Evropian dhe me një mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Jahjaga u ka sugjeruar liderëve te Bashkimit Evropian që të organizojnë dhe ndërmjetësojnë takimin e parë ndërmjet Presidentes të Republikës së Kosovës dhe Presidentit të Republikës së Serbisë dhe ky takim do të mbahej pas takimit të radhës të kryeministrave Thaçi dhe Dacic.“Presidentja konsideron se dialogu është e vetmja alternativë për gjetjen e zgjidhjeve evropiane dhe për zbatimin e tyre në funksion të normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve sovrane dhe të pavarura. Takimet e Presidentes me kryetarët e shteteve e forcojnë subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës”, thuhet në deklaratë.