Debati për përmendoren në Preshevë, Daçiç i përgjigjet Haradinajt

Kryeministri i Serbisë Ivica Daçiç i është përgjigjur liderit të AAK-së Ramush Haradinaj, duke theksuar se  autoritetet serbe do ta heqin monumentin kushtuar luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.Daciç tha se do të shkojë në Bruksel, pasi monumenti të mos jetë më në Preshevë."Ne do të veprojmë në mënyrë evropiane, që do të thotë se do ta heqim këtë monument", ka thënë Daçiç, duke reaguar në ftesën e liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka kërkuar nga Beogradi zyrtar që të sillet në mënyrë evropiane për këtë çështje.Daçiç  tha se  nuk është i sigurt nëse diku në Evropë mund të ketë monumente për ata që janë anëtarë të organizatave terroriste dhe atyre që janë të përfshirë direkt në vrasjen e policëve dhe ushtarëve.Kryeministri i Serbisë ka thënë ditë më parë se afati i fundit për heqjen e monumentit të UÇPMB-së është 17 janari. Sipas tij, nëse ky monument nuk hiqet, ai nuk do të shkojë në Bruksel për të takuar autoritetet e Kosovës.Përmendorja me 27 emrat e pjesëtarëve të rënë të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, që kur është ngritur në muajin nëntor në Preshevë, është bërë objekt i matjes së forcës ndërmjet Beogradit zyrtar dhe disa shqiptarëve të Luginës së Preshevës.