Daçiç: Platforma, propozimi më pozitiv i Serbisë

Kryeministri i Serbisë Ivica Daçiç, ka deklaruar se Platforma për Kosovën përbëhet nga 3 dokumenta - parimet për bisedime, dokumenti se si do të dukej autonomia e Kosovës dhe analiza për pozitën ndërkombëtare të Serbisë, ndërsa që nga fillimi është rënë dakord që vetëm dokumenti i parimeve për bisedime të shkoj në Parlament.“Që nga muaji gusht është duke u punuar në tre dokumente. I pari dhe themelori ka të bëjë me bisedime dhe i njëjti do të bëhet si një rezolutë të cilën do ta publikoj qeveria. Dokumenti i dytë, të cilin e ka bërë kabineti i presidentit Nikoliç, është një pasqyrë se si do të dukej autonomia, ndërsa i treti, analiza për pozitën ndërkombëtare të Serbisë. Të gjitha këto dokumente janë pjesë e Platformës për Kosovën”, ka thënë kryeministri serb.Ai ka shtuar se rezoluta, ose parimet themelore të bisedimeve, “ kanë disa artikuj bazë: asnjë njohje të Kosovës, fokusi i interesimit tonë do të jetë statusi i komunitetit serb në Kosovë, ky proces duhet të shoqërohet me përparim në integrimin evropian, detyrim për të respektuar marrëveshjet arritur dhe ndjekja e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse”.“ Rezoluta duhet të paraqitet para deputetëve më 11 janar. Nuk do të hiqet dorë nga të gjitha ato parime themelore. Sigurisht, në ato bisedime, Serbia mund të paraqesë vizionin e saj për një zgjidhje të përkohshme që nuk ka të bëjë me statusin final të Kosovës ", ka thënë Daçiç.Kur bëhet fjalë për presidentin e Serbisë, Timisllav Nikoliç, Daçiç, ka thënë se “ky është dokumenti më pozitiv që Serbia e ka prezantuar ndonjëherë gjatë dekadës së fundit”, mirëpo, i qëndron thënies se “për asgjë nuk mund të dakordohemi përderisa të gjithë të mos jemi dakord”.