Politika në 1 vit, Krasniqi: Nuk arriti të dalë përtej interesave të ditës
Ndërsa jemi në ditët e fundit të bilacit të gjithckaje cfarë ka ndodhur përgjatë një viti ne vend, analisti politik Afrim Krasniqi konstaton një rezultat nevativ në mbyllje të 2012, duke specifikuar dështimin për të tretën herë radhazi në marrjen e statusit. Në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora News me drejtorin e Informacionit Patrik Sadikaj, Krasniqi deklaroi se klasa politike shqiptare me qëndrimin e saj lidhur me integrimin e vendit tregoi dhe njehere se nuk arriti të dalë përtej interesave personale të ditës. Si përgjegjës të kësaj situate, ai i sheh si mazhorancën ashtu edhe opozitën, por barrën më të madhe e kalon në anën e mazhorancës, e që sipas tij ndëshkimin do ta marrë nga votuesit shqiptarë në zgjedhjet e 2013.“Kriteri bazë për këtë vit ishte raporti i Shqipërisë në BE, në fund të vitit kemi një bilanc negativ, nga 12 kërkesa Shqipëria ka realizuar vetëm 3. Politika nuk kaloi interesat personalë të ditës. Shqipëria s’arriti të kalonte periudhën e tranzicionit. Parlamenti matet me aktet serioze dhe këtë gjë nuk e bëri dot. U shndërrua në një shtojcë të dukshme të mazhorancës, paaftësia i bie atyre që kanë marrë votën. Mazhoranca nuk arriti të krijojë një klimë besimi, nuk përdori asnjë nga mekanizmat në dispozicion për të ofruar opozitën për bashkëpunim. Përgjegjësia kryesore është e mazhorancës, opozita ka pjesën e saj, në thelb të dyja janë përgjegjëse. Në politikë ka gjithmonë përgjegjës dhe besoj se në zgjedhjet e ardhshme votuesi shqiptar do ta ndëshkojë përgjegjësin” tha ai.Sipas tij mazhoranca aktuale nuk disponon asnjë mekanizëm për zhvillimin e vendit, ndërsa PD pas 22 viteve e sheh të transformuar 360 gradë nga ’90, por me tregues negativë.“Në vitet ‘90 PD ka qenë një parti e hapur. Pas 22 vjetësh në PD nuk është as simboli i saj. Nuk ka më zgjedhje dhe rotacion prej vitesh në këtë parti, të gjithë janë të emëruar dhe jo me mandate të zgjedhur. Bizneset janë në falimentim, rënia ekonomike është e prekshme dhe këto janë tregues që kjo mazhorancë nuk ka zgjidhje për zhvillimin e vendit, nuk arrin të bëjë kontroll, të qeverisë as veten, nuk arrin të bëjë zgjedhje. Këto lloj njerëzish duhen larguar me votë nga pushteti” theksoi Krasniqi.Në cilësinë e sekretarit politik të FRD-së, ai shprehet se në zgjedhjet e ardhshme kjo forcë, tashmë e shtrirë në 12 qarqe të vendit, synon të marrë rreth vetes të pakënaqurit nga dy partite kryesore, e që sipas tij numri i tyre bëhet nga dita në ditë edhe më premtues.“Kush është sot interesi i PD për këto zgjedhje, alternativa e vetme është për të qëndruar në pushtet. E opozitës për të rrëzuar Kryeministrin. Alternativa e FRD është ndryshe. Asnjëra prej tyre nuk i afrohet 40%, shumica e shqiptarëve kanë një protestë të dukshme, janë në kërkim të një alternative tjetër. FRD po mundohet të përfaqësojë këto grupe të harruar nga qeverisja. Do marrim një masë të konsiderueshme votash për të ndryshuar terësisht këtë mekanizëm politik” tha më tej Krasniqi. Zoti. Krasniqi shprehu dhe njëherë vendosmërinë e FRD për të mos u bërë palë e pazareve politike të partive tradicionale, ndërsa shtoi se do të bëjnë gjithcka për të mbrojtur me cdo kusht votën e qytetarëve.“Përpjekja jonë do të jetë për të bindur qytetarët të votojnë masivisht dhe për të mbrojtur votat. Është testi kryesor për BE, shqiptarët nuk do ta falin vjedhjen e votës. Pjesa elitare do arrijë të dominojë në këto zgjedhje” përfundoi ai.