Policia e Shtetit: Plan masash për fundvitin

Policia e Shtetit ka publikuar planin e masave për festat e fundvitit. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësi i policisë së shtetit Tefik Sulejmani sqaroi se të gjitha strukturat kanë kaluar në shërbim të përforcuar me qëllim parandalimin dhe goditjen në kohë të çdo situate kriminale, menaxhimin e fluksit të kthimit të emigrantëve në dogana, si dhe parandalimin e aksidenteve rrugore.“Përmes këtyre masave synohet garantimi i rendit dhe sigurisë publike në të gjithë ambjentet, ku qytetarët do të festojnë festat, garantimi i sigurisë rrugore me standarde, sidomos në ato akse ku do të ketë shtim të lëvizjes së automjeteve  për shkak të kthimit të emigrantëve, menaxhimi profesional dhe i shpejtë i fluksit të lëvizjes në të gjithë pikat e kalimit kufitar, si dhe garantimi i një shërbimi policor me standarde të larta” theksoi Sulejmani.Sipas tij, Drejtoritë e Policisë së Qarqeve dhe Komisariatet e Menaxhimit të Trafikut Interurban, kanë marrë të gjitha masat për sigurimin e rendit publik, lëvizjen e qarkullimin normal të automjeteve dhe këmbësorëve, parandalimin e aksidenteve rrugore, sidomos në akset që lidhen me pikat kufitare si dhe vendeve, gjatë zhvillimit të aktiviteteve me rastin e festave të fundvitit.“Po kështu, nga Drejtoria e Policisë Kufitare dhe Migracionit, nisur nga shtimi i fluksit të lëvizjes së qytetarëve me rastin e festave të fundvitit, janë marrë të gjitha masat për kontrollin e kufirit shtetëror, menaxhimin e fluksit të hyrje-daljeve të shtetasve dhe automjeteve, shmangien e rradhëve në kufi, kontroll sa më të shpejtë dhe me standarde, nëpërmjet shtimit të numërit të personelit dhe vendeve të kontrollit, duke bashkëpunuar ngushtë edhe me shërbimin doganor” shtoi Sulejmani.