Basha: Rama të kërkojë ndjesë që e la qytetin pa plan
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka kërkuar sot nga ish-kryebashkiaku Edi Rama duhet të kërkojë ndjesë, që e la Tiranën 11 vjet, pa plan.I pyetur në lidhje me planin urbanistik të Tiranës, i cili u miratua më 24 dhjetor, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Basha tha se Rama po kërcënon tiranasit autoktonë.“Së pari, mendoj se para se të flasë për planin urbanistik, i cili pas 23 vitesh i ofrohet qytetarëve të Tiranës, z. Rama, në pozitat e ish-kryetarit të Bashkisë duhet të shpjegojë se çfarë e pengoi ose çfarë nuk e motivoi, që ta bënte këtë plan në 11 vite. Së dyti, mendoj se bashkë me shpjegimin, çfarëdo të jetë justifikimi, do të ishte e arsyeshme të kërkonte ndjesë për mungesën e planit, që i ka sjellë kaq shumë dëme qytetit dhe veçanërisht në zhvillimin pa planifikim dhe në trajtimin e pabarabartë të pronës së qytetarëve. Së treti, shpreh keqardhjen që ka zgjedhur gjuhën e kërcënimit, në veçanti për komunitetet autoktone dhe komunitetet e vjetra që përfitojnë nga ky çlirim i planit, nga paragjykimet apo ato instrumente që u përdorën për të “ngrirë” zhvillimin e pronës së tyre. Ndërkohë që prona të tjera u zhvilluan, pronat e tyre u “ngrinë” me justifikime të paqëndrueshme, zona monumentale, ndërkohë që ishin prej kohësh zona në nevojë të madhe për zhvillim dhe së katërti, jam i bindur se qytetarët e Tiranës e kanë refuzuar një herë gjuhën e konfliktit politik, gjuhën e kërcënimit dhe çdo zgjedhje individuale apo politike e z. Rama, për të rikthyer kërcënimet ndaj banorëve të Tiranës, jam i sigurt se do të marrë përgjigje të njëjtë, sa herë që të ketë zgjedhje” tha Basha.Kryebashkiaku Basha mori pjesë sot në shembjen e shkollës “Ahmet Gashi” në Laprakë , shembje kjo që do t`I hapë rrugën ndërtimit të shkollës së re.Me një investim prej rreth 225 milionë lekësh, shkolla do të jetë gati në muajin nëntor të vitit 2013. Sipas Kreut të Bashkisë, Basha, ky është fillimi i ndërtimit dhe rindërtimit të një sërë shkollash në Tiranë.“Dua të falënderoj me këtë rast, të gjithë stafin që ka punuar për përgatitjen në kohë rekord të projektit. Natyrisht, projekti do të financohet tërësisht nga burimet e Bashkisë së Tiranës dhe një kontribut i Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, pra nuk do i biem në qafë Ministrit së Arsimit për fonde shtesë, sikundër ne po vazhdojmë projektet për ndërtimin dhe rindërtimin e shkollave anembanë qytetit dhe presim që vitin e ardhshëm të miratohet edhe një kredi prej 15 milionë eurosh nga një organizatë partnere OFID, që do të bëjë të mundur realizimin e planit tonë, që nga njëra anë është ambicioz, në raport me të kaluarën por nga ana tjetër një domosdoshmëri, duke pasur parasysh ritmin e ulët të ndërtimit të shkollave në Tiranë gjatë dekadës së fundit”- theksoi Kryebashkiaku Basha.