Pas grusht shtetit në Tajlandë, ushtria liron 124 politikanë e aktivistë
Ushtria tajlandeze ka bërë të ditur se ka liruar 124 persona, mes të cilëve politikanë dhe aktivistë, të cilët ishin arrestuar pas grushtit të shtetit.Një zëdhënës i ushtrisë tha se janë ndaluar gjithsej 253 persona dhe të liruarit kanë rënë dakord që t'i shmangen çdo aktiviteti politik.Drejtuesit e grushtit të shtetit në Tajlandë morën pushtetin javën e kaluar.Ata arrestuan ish-kryeministren Yingluck Shinawatra, por e liruan pas disa ditësh me disa kushte.Përveç politikanëve dhe aktivistëve, janë arrestuar edhe shumë akademikë. Grushti i shtetit në Tajlandë erdhi pas 6 muajsh protestash në të cilat u vranë 28 persona dhe qindra të tjerë u plagosën.Që prej datës 22 maj në Tailandë është vendosur shtetrrethimi, që sipas ushtrisë do të shërbejë për të rikthyer stabilitetin në vend.Vendimet e ushtrisë janë kundërshtuar fort nga ndërkombëtarët ndërsa në kryeqytetin Bangkok, grupet e të drejtave të njeriut kanë ngritur alarmin jo vetëm për mënyrën sesi trajtohet popullsia por edhe për masat e marra ndaj mediave, duke mbyllur e duke censuruar shumë prej tyre.