Franca dëbon 800 emigrantë nga Lindja e Mesme
Paris- Policia franceze në qytetin verior të Calais ka nisur një operacion për të dëbuar mbi 800 emigrantë nga Azia, Lindja e Mesme dhe Afrika, të cilët kanë pushtuar kampet pranë portit.Sipas autoriteteve zyrtare franceze, dëbimi është i domosdoshëm për të shmangur edhe përhapjen e ndonjë epidemie të mbartur nga këto vende.Këta emigrantë janë përpjekur që përmes Francës të udhëtojnë për në Britani por ata shprehen se nëse kampet e ngritura prej tyre shkatërrohen, ata nuk kanë ku të shkojnë.Policia më herët i kishte vendosur emigrantëve një afat për tu larguar dhe në përfundim të tij, ata kanë nisur aksionin për shkatërrimin e kampeve.Dhjetëra autobusë me policë kanë mbërritur në vëndngjarje ku përgjatë të gjithë ditës së mërkurë do të punojnë për shkatërrimin e kampeve dhe dëbimin e emigrantëve, deri në vendet e tyre.Pavarësisht se zyrtarët e policisë franceze për disa ditë me rradhë tentuan ti bindin emigrantët të largohen, një pjesë e mirë e tyre refuzojnë ndërsa shprehen të vendosur se do të tentojnë sërish të kalojnë kufirin për në Britani.Madje sipas tyre, në Britani ata do të jenë të mirëpritur dhe do të trajtohen si emigrantë të ligjshëm.Në vitin 2002, qeveria franceze vendosi të mbyllë qendrën e Kryqit të Kuq në qytetin verior Calais por sërish atje u ngritën vit pas viti dhjetëra kampe ilegale nga emigrantët.