Kush është Petro Poroshenko, miliarderi në krye të Ukrainës
Kiev- Petro Poroshenko, presidenti i ardhshëm i Ukrainës, është i mirënjohur në vendin e tij si mbreti i çokollatave, një sipërmarrës miliarder që zotëron firmën Roshen. Ai thotë se shqetësimi për vendin e bëri të ndërmarrë udhëtimin e rrezikshëm në Krime në muajin mars dhe të futet në garën presidenciale. 48-vjeçari Poroshenko ka lindur në Odesa dhe është diplomuar për ekonomi dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin Shtetëror të Kievit. Ai shfrytëzoi mundësitë që ofroi shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në 1991 për të blerë një fabrikë të vjetër ëmbëlsirash duke u bërë një ndër ukrainasit më të pasur përmes prodhimit të çokollatave. Poroshenko u përfshi edhe në politikë, duke mbështetur "Revolucionin Portokalli" që solli në pushtet Viktor Janukoviçin. Ai shërbeu si ministër i jashtëm në qeverinë e Janukoviçit në vitet 2009-2010 dhe u emërua ministër i tregtisë dhe zhvillimit ekonomik në 2012-ën. Nga viti 2007-2012 ai mbajti edhe postin e Kreut të Këshillit të Bankës Kombëtare të Ukrainës. Kur Rusia po përgatitej të merrte nën kontroll Krimenë, ai bëri një vizitë të ngutshme në kryeqytetin e rajonit Simferopol për të bindur votuesit të hedhin poshtë idenë e referendumit separatist. Ai u detyrua të tërhiqet, pasi u rrethua nga kundërshtarë të revoltuar. Por vizita e tij u mbulua nga media dhe pak pas saj ai vuri kandidaturë si president. Poroshenko mbështet integrimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian, sidomos pasi tregjet evropiane pranuan çokollatat e tij, kur atij iu bllokua qasja në tregun rus.Poroshenko njihet me emrin "Mbreti i Çokollatës" për shkak të super pasurisë së ngritur përmes industrisë së cokollatës por ai gjithashtu zotëron edhe biznese të tjera mes të cilave kompani automobilash, autobusash dhe anijash si dhe televizionin "5 kanal" ndërsa ka në pronësi edhe biznese të tjera. Në mars të 2012-ës, Petro Poroshenko u zgjodh nga revista prestigjoze Forbes si një ndër miliarderët më të mëdhenj të botës, më pasuri mbi 1 miliardë dollarë.