NATO: Pajtueshmëri për vendosjen e sistemit Patriot
Turqia dhe aleatët e saj në NATO janë pajtuar për lokacionet e vendosjes së sistemit mbrojtjës kundërajror Patriot. Aleatët janë marrë vesh që ky sistem të vendoset përgjatë kufirit të Turqisë me Sirinë. Nëpërmjet një kumtese, NATO-ja sot ka njoftuar se tri shtetet, që janë pajtuar të dërgojnë sisteme antiraktetore në Turqi: Holanda, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara, këtë vendim e kanë bërë së bashku me Turqinë pas një vlerësimi ushtarak. Vendosja e sistemit në tri pika është krejtësisht mbrojtëse dhe nuk është pjesë e ndonjë operacioni të zonës së ndalim fluturimit apo ndonjë operacioni sulmues, thekson NATO-ja. Turqia ka kërkuar vendosjen e sistemit kundërajror të NATO-s, pasi disa herë ishte goditur nga raketat e Sirisë dhe fluturimet e aeroplanëve të saj luftarakë. Tash sistemi do tu përgjigjet aksioneve të tilla të Sirisë, përgjatë kufirit. Rusia dhe Irani e kanë kritikuar vendosjen e sistemit Patriot në kufirin e Turqisë duke e vlerësuar atë si provokim.