Karzai: Fajtorë për korrupsion në Afganistan - qeveritë e jashtme

Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, ka thënë se qeveritë e jashtme janë fajtore për korrupsionin e përhapur në Afganistan dhe se kjo po i shkatërron përpjekjet e tij për krijimin e sundimit të ligjit. Në fjalimin e sotëm televiziv, Karzai tha se ryshfeti lokal mund të neglizhohet në krahasim me qindra miliona dollarë, që paguhen nga të jashtmit në marrëveshje të dyshimta. Ai është shprehur se qeveria e tij ka bërë progres të konsiderueshëm në luftimin e korrupsionit. Donatorët ndërkombëtarë kanë thënë se përpjekjet e tyre për stabilizimin e Afganistanit janë dëmtuar nga korrupsioni endemik dhe se qeveria Karazai nuk ka treguar gatishmëri për ndjekjen e rasteve të korrupsionit, ku involvohen aleatët politikë.