Thaçi kundër planeve serbe për veriun: Ëndërr në sirtar

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha sot se platforma serbe për Kosovën është antievropiane dhe nuk do të jetësohet kurrë.Ai i bëri këto komente në mbledhjen e sotme të qeverisë duke folur për platformën e hartuar nga autoritetet e Beogradit lidhur me bisedimet me Kosovën, në të cilën, sipas asaj çfarë është thënë deri tash, propozohet një status i veçantë për veriun e Kosovës, përkatësisht një lloj entiteti të ri, siç është Republika Serbe në Bosnjë.Presidenti serb Tomislav Nikoliç, ka filluar një seri takimesh me forcat politike në Serbi dhe diplomatë të huaj, për të paraqitur platformën, e cila nga kryeministri Thaçi u cilësua si dokument që do të përfundojë në sirtarët e dëshirave të Beogradit.“Sot jemi dëshmitar se përsëri në Beograd prezantohen ide, projekte dhe platforma që nuk i kontribuojnë stabilitetit në Kosovë dhe rajon. Këto platforma nuk janë platforma të reja. Edhe Kosova edhe e gjithë bota e dinë që këto platforma bazën e kanë tek platformat e vjetra serbe në raport me Kosovën dhe shqiptarët”, tha ai.Por, kryeministri Thaçi tha se ky plan që paraqet vazhdimësi të qasjes së Serbisë ndaj Kosovës, nuk do të realizohet kurrë në asnjë pjesë të Kosovës.Kundër platformës së Beogradit kanë reaguar edhe institucionet tjera të Kosovës. Arbër Vllahiu, zëdhënës i presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se “propozimet e Serbisë janë pretendime territoriale ndaj një shteti tjetër, të pavarur dhe sovran dhe si të tilla janë të papranueshme dhe jashtë realitetit”.Megjithatë, autoritetet në Prishtinë thanë se Kosova është e gatshme të vazhdojë procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë nëpërmjet bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Vazhdimi i këtyre bisedimeve pritet të ndodhë më 17 janar me takimin e radhës ndërmjet kryeministrit Thaçi dhe atij serb Ivica Daçiç.