Zgjedhjet 2013 në Maqedoni, Tetova shënjestër e partive shqiptare

Partitë politike shqiptare po targetojnë Tetovën si bastionin qendror për fitoren e tyre në zgjedhjet lokale 2013.Derisa PDSH ka zyrtarizuar kandidaturën e Sadi Bexhetit, për një mandat të dytë për kreun e kësaj komune, BDI dhe RDK, përfshirë edhe Demokracinë e Re akoma nuk kanë zyrtarizuar kandidaturat e tyre.Së fundi tashmë janë nxjerrë disa kandidatë dhe emra lidhur me garën për Tetovën. Në BDI kanë konfirmuar se në garën për Tetovën janë ish-kryetari i komunës, Hazbi Lika, zëvendëskryeministrja për evrointegrime Teuta Arifi dhe dy kandidatë të tjerë.Sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Abdilaqim Ademi konfirmoi dy kandidaturat, duke theksuar zyrtarizimi i kandidatit për Tetovën dhe komunat e tjera do të bëhet deri nga fillimi i janarit 2013.Në RDK gjithashtu përflitet për kandidaturën e profesorit universitar Abdilmenaf Bexheti. Ky i fundit nuk është deklaruar lidhur me kandidimin për kreun e Tetovës, derisa kreu i RDK-së, Rufi Osmani ka konfirmuar se ky propozim vjen nga struktura partiake dhe qarqe intelektuale.Demokracia e Re (DR) po targeton Tetovën dhe se biznesmeni Abdiladi Vejseli është një nga emrat e përfolur si kandidat i propozuar nga kjo parti. Vejseli i njohur si ish-lider i PPD-së ka konfirmuar se ka oferta për kandidimin për Tetovën, por se nuk ka ndonjë vendim të konfirmuar zyrtar.Tetova mbetet si qendra kryesore ku partitë janë fokusuar për të fituar këtë komunë që aktualisht drejtohet nga Sadi Bexheti, i cili katër vite më parë fitoi zgjedhjet me teseren e PDSH-së. Partitë shqiptare në Tetovë synojnë edhe mbështetjen e partive maqedonase.