Reagon Jahjaga: Serbia me platformë ilegale, pengon dialogun
Presidentja Atifete Jahjaga ka reaguar pas publikimit të një pjesë të Platformës së Serbisë, duke thënë se ajo është ilegale dhe jolegjitime. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësi i Presidentes Jahjaga, Arbër Vllahiu tha se platforma e Serbisë pengon edhe dialogun Kosovë-Serbi.“Propozimi i Serbisë nuk është legal dhe legjitim sepse bëhet për territorin e një shteti tjetër, të pavarur dhe sovran. Ky propozim pengon edhe procesin e dialogut që po zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së”, ka thënë Vllahiu.Ai ka thënë se platforma e Serbisë ka për qëllim shpërnguljen e serbëve në Veri dhe se krijon standarde të dyfishta për pakicat në Kosovë.“Zgjidhjet që propozohen nga Republika e Serbisë, përmes një platforme, e pengojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve dhe krijojnë standarde të dyfishta për komunitetin serb në Kosovë. Kjo do të nxiste shpërnguljen e popullatës serbe drejt veriut. Nuk duam që të shkatërrojmë atë që e kemi arritur deri sot, përfshirjen e komuniteteve, edhe atij serb, në institucionet e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.Megjithatë zëdhënësi i Presidentes, ka deklaruar se për problemet e Kosovës nuk do të diskutohet me Serbinë, pavarësisht propozimeve që vijnë nga Beogradi.“Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran, me integritet territorial dhe kufij të garantuar ndërkombëtar. Pavarësia e saj është e pakthyeshme dhe çështjet e brendshme të saj nuk do të diskutohen me askënd e më së paku me Republikën e Serbisë. Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës janë ato që rregullojnë jetën dhe funksionimin e shtetit dhe asnjë zgjidhje që çon përtej kësaj nuk është e pranueshme. Zgjidhja për komunat në veri të territorit të Republikës së Kosovës gjendet në Kushtetutën e Kosovës dhe me procesin e decentralizimit që ka mundësuar krijimin e komunave të reja me shumicë serbe në territorin e Republikës së Kosovës”, ka shtuar ai.