Shala: Çështja e veriut të zgjidhet deri në qershor 2013

Bashkërenduesi i Kosovës në bisedimet me Serbinë, Blerim Shala tha sot në një intervistë për Zërin e Amerikës se veriu i Kosovës nuk do të ketë trajtim të veçantë dhe çështja duhet të zgjidhet deri në qershor të vitit të ardhshëm në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.Blerim Shala, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se nuk duhet ngatërruar mbështetjen që kjo parti u jep proceseve politike me debatet rreth mundësisë së bashkëqeverisjes me Partinë Demokratike të Kosovës.“Ne besojmë se ekziston një dritare e mundësisë, siç thuhet në gjuhën angleze, që kjo temë të trajtohet shumë shpejt. Nuk shohim se problemet në veri kanë karakter të tillë që të mos zgjidhen deri në qershor. Çfarë duhet është një vullnet i mire i Serbisë. Ju mund të thoni se ku e keni parë atë vullnet të mirë që Serbia nuk ka pasur kurrë vullnet të mirë për Kosovën. Por, tash është situata shumë e qartë. I është thënë: bllokada për të hyrë në BE është Kosova. Në konkluzat për Kosovën të BE-së, sado që jemi të pakënaqur, është formulimi shumë i qartë, që kemi të bëjmë me hyrjen e Kosovës dhe Serbisë veç e veç në BE. Nuk ka aty asnjë spekulim se Kosova do të jetë ndryshe por si një shtet në kuptimin e plotë të fjalës në BE”, u shpreh ai.