Jahjaga:Kosova ka qëndrueshmëri financiare, por kjo s`mjafton

Kosova ka qëndrueshmëri financiare dhe rritje pozitive, por kjo është e pamjaftueshme për një zhvillim të qëndrueshëm dhe zvogëlim të varfërisë. Për këtë nevojitet strategji afatgjate. Kështu është shprehur presidentja Atifete Jahjaga gjatë prezantimit të raportit financiar të Bankës Qendrore të Kosovës.Pavarësisht ndikimit të krizës globale, Kosova ka arritur të ruajë qëndrueshmërinë makroekonomike dhe financiare.Presidentja Jahjaga theksoi se nevojiten politika adekuate edhe për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla e të mesme, si bosht i zhvillimit, dhe kthim i parave të privatizimit dhe të Trustit që mbahen jashtë vendit, me qëllim të rritjes së mundësive të kreditimit dhe uljes së normës së interesit në kredi. Ajo konfirmoi angazhimin e institucioneve në luftimin e dukurive negative që po e pengojnë zhvillimin.“Institucionet do të vazhdojnë reformën për forcimin e rendit dhe ligjit, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe ekonomisë joformale”, tha Jahjaga.Guvernatori i Bankës qendrore, Gani Gërguri, tha se Kosova ka qëndrueshmëri financiare, që dëshmon se sistemi financiar jo vetëm që ka aftësi për të mbajtur vetveten por edhe për të mbështetur sektorët e tjerë të ekonomisë. Sipas tij ekonomia globale, veçmas ajo e Eurozonës është karakterizuar me performansë të dobët, duke rritur rrezikun e sektorit financiar.Sipas raportit të tretë financiar të BQK-së, rritja reale ekonomike gjatë këtij viti parashihet të jetë nën 4 për qind. Gjatë periudhës janar-qershor shpenzimet qeveritare u rritën për 18 për qind, eksporti pësoi rënie mbi 18 për qind dhe deficiti tregtar u rrit për 6.4 për qind, dërgesat e emigrantëve u zvogëluan për 0.7 për qind, kurse investimet e huaja direkte mbi 53 për qind. Në prezantimin e raportit ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe ambasadorë të akredituar në Kosovë.