NATO: Putin do trazira, por nuk mund të pushtojë Ukrainën
Komandanti i lartë ushtarak i NATO-s, gjenerali Philip Breedlove (në foto) përjashtoi mundësinë që Rusia të pushtojë Ukrainën, por ai nënvizoi se Kremlini ka mënyra të tjera për të arritur qëllimet e tij.Gjenerali Breedlove gjatë një dëgjese në Otava të Kanadasë tha se mendon se Presidenti rus Vladimir Putin do të vazhdojë të bëjë atë që po bën tani, krijimin e trazirave, diskreditimin e qeverisë ukrainase dhe nxitjen e lëvizjes separatiste. Ai parashikoi se Moska do të mbajë nën kontroll Ukrainën lindore pa dërguar trupat e rregullta përtej kufirit.Komandanti i NATO-s tha se është i sigurt se forcat speciale ruse janë të pranishme në Ukrainë, por shtoi se nuk është e qartë nëse ato qëlluan me raketa tre helikopterë ukrainas javën e kaluar.Ndërkohë për shkak të dhunës në rritje në Ukrainë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon i tha Agjencisë franceze të lajmeve se ai do të ofrojë veten si ndërmjetës para se situata të dalë jashtë kontrollit. Ndërkohë forcat qeveritare të sigurisë u ndeshën me rezistencë të ashpër nga separatistët pro - rusë në Ukrainën lindore, ndërsa zyrtarët në Kiev thonë se ushtria dalëngadalë po merr kontrollin e rajonit.Në spitalin e Slovjanskit u trajtuan shumë separatistë të plagosur në luftimet me forcat e Ukrainës, në të cilat kishte të vrarë nga të dyja palët.Strategjia e forcave të Ukrainës ka qenë rrethimi dhe izolimi i separatistëve në qytetet e fortifikuara të Slovjanskit dhe Kramatorskit. Pavarësisht nga sulmi i fundit nga militantët, zëdhënësja e Forcave Ukrainase të Sigurisë, Maryna Ostapenko thotë se gjërat po ecin sipas planit.Zëdhënësja e Forcave Ukrainase të Sigurisë Maryna Ostapenko thotë se në një betejë të kohëve të fundit, forcat ukrainase u përleshën me një numër shumë më të madh separatistësh, por arritën të fitonin.Kievi gjithashtu po dërgon një njësi të gardës kombëtare në Odessa për të rivendosur kontrollin atje pas përleshjeve vdekjeprurëse mes aktivistëve pro - rusë dhe përkrahësve të qeverisë ukrainase.Qeveria e Ukrainës ka akuzuar Rusinë se po mbështet përpjekjet e separatistëve për të destabilizuar vendin përpara zgjedhjeve të 25 majit. Moska thotë se Kievi dhe Perëndimi po provokojnë gjakderdhjen.