PD: PS-LSI provokojnë, duan të rehabilitojnë kohën e Enverit

Tirane-  "5 Maji" ngjall sërish polemika mes politikës. Partia Demokratike sulmon sërish mazhorancën duke e akuzuar se po rehabiliton kohën e diktatorit Enver Hoxha.PD i quan të papranueshme provokimet e dyshes Rama-Meta me foton e Enverit dhe me grushtet lart. Opozita sjell si shembull dy ngjarjet e ndodhura dje me rastin e 5 Majit, kur deputeti socialist, ish-kryeministër, Pandeli Majko nderoi me grusht përpara monumentit “ Nëna Shqipëria” si dhe rasti tjetër kur në Berat, ministri i Drejtësisë Nasip Naço u përkul para fotos së Enver Hoxhës“Dyshja Rama-Meta po shfrytëzojnë çdo rast për të rehabilituar dhe rikthyer në kohën tonë diktatorin më të egër dhe që zhyti Shqipërinë në zinë e bukës.PD dënon ashpër këtë vijë politike dhe i kërkon të heqë dorë një herë e përgjithshmonë nga provokimi i shqiptarëve. “ tha sot Laura Vorpsi në një prononcim për median nga selia e PD-së Deklarata e plotë e PD-seMazhoranca ngriti dje grushtet lart dhe u përul para fotos së Enverit, duke kryer një akt të përsëritur, pervers dhe provokues ndaj shoqërisë shqiptare.Ritet e djeshme që shprehin adhurimin e dyshes Rama-Meta ndaj diktatorit, janë një sjellje armiqësore ndaj popullit, ndaj ndërgjegjes së kombit.Nderimi i figurës së Enverit dhe simboleve të tij, janë një fyerje dhe përbaltje e kujtimit të dhjetëra mijë shqiptarëve të persekutuar, të internuar, të burgosur të dënuar me vdekje, të pushkatuar pa gjyq.Dyshja Rama-Meta po shfrytëzojnë çdo rast, në mënyrë të përsëritur për të rehabilituar dhe rikthyer në jetën tonë, diktatorin më të egër të lindjes që privoi një komb të tërë nga liritë dhe të drejtat më themelore të njeriut, dhe që e shkëputi me dhunë vendin tonë nga familja europiane, duke e zhytur në zinë e bukës.Partia Demokratike e dënon ashpër këtë vijë politike të mazhorancës së majtë.Ne i kërkojmë dyshes Rama-Meta të heqë dorë një herë e përgjithmonë nga provokimi i qytetarëve shqiptarë me kujtimet më të këqija të së kaluarës, me plagën më të dhimbshme të shoqërisë sonë.Mazhoranca e majtë, Rama dhe Meta, le ta mbajnë idhujtarinë e tyre për Enverin në dhomën e gjumit, dhe mos të guxojnë ta bëjnë pjesë të protokollit dhe të skenës publike, vetëm e vetëm pse aktualisht qeverisin vendin.Koha e lavdisë ikën, dhe ikën shumë shpejt kur populli preket aty nuk duhet./sg/oranews online/