Bushati: Faktori shqiptar i rëndësishëm për qeverinë maqedonase

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka theksuar rëndësinë e faktorit shqiptar në qeverinë e Maqedonisë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ministri Bushati, foli për zgjedhjet në Maqedoni dhe koalicionet paszgjedhore. Ai siguroi vazhdimin e bashkëpunimit të qeverisë shqiptare, për të pasur një qëndrim të sinkronizuar me faktorin politik shqiptar në Maqedoni.“ Nuk do të doja kurrë të besoja që dikush do të mund të mendonte se mund të qeveriste Maqedoninë pa pjesëmarrjen solide e kontributin e qartë të faktorit politik shqiptar, sepse më shumë se zgjidhja e çështjes së emrit të Maqedonisë, apo mosmarrveshjet dypalëshe që Maqedonia mund të ketë me shtete të ndryshme në rajon, është i rëndësishëm stabiliteti dhe ankorimi i saj në rrjedhat euro-atlantike, i cili do të vijë vetëm përmes një bashkëpunimi jashtëzakonisht të qartë dhe respektimit në frymë dhe në gërmë të Marrëveshjes së Ohrit. Në mënyrë që jo vetëm faktori politik shqiptar të mund të jetë i mirëpërfaqësuar në jetën publike dhe institucionale në Maqedoni, por dhe që Maqedonia të mund të bëjë hapa përpara në mënyrën e duhur”, theksoi ministri Bushati.Gjithashtu Ministri i Jashtëm, i bërë thirrje faktorit shqiptar për bashkëpunim me qeverinë maqedonase dhe mësimet e marra pas zgjedhjeve.“Është e rëndësishme të theksohet që e ardhmja e Maqedonisë, stabiliteti i saj demokratik, projektimi i saj në rajon dhe ankorimi në rrjedhat euro-atlantike do të varen shumë nga mënyra se si zbatohet Marrëveshja e Ohrit. Kjo marrëveshje është themeli për modernizimin e shtetit maqedonas dhe ky modernizim nuk mund të konceptohet pa një bashkëpunim të qartë ndërmjet dy komuniteteve kryesore shtet-formuese në Maqedoni. Uroj që nga këto zgjedhje të ketë nxjerrë mësimet e duhura faktori politik shqiptar”, u shpreh Ministri Ditmir Bushati.