Meta : Retorika e pavend nacionaliste, lojë e rrezikshme e cila destabilizon rajonin
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, nga Rrogozhina bëri thirrje që të shmangen spekulimet nacionaliste në vend. Meta duke vlerësuar qëndrimin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu, mbi këtë çështje u shpreh se Lëvizja Socialiste për Integrim synon integrim dhe jo konflikte.Gjatë një takimi me strukturat dhe simpatizantë të LSI, Meta foli edhe për integrimin europian të vendit, ku u bëri dhe një herë thirrje forcave politike shqiptare që të gjejnë konsensusin dhe dialogun e duhur për të përmbushur detyrimet që Shqipëria ka marrjen e statusit të vendit kandidat.Sipas tij nuk është vonë për miratimin e tre ligjeve të rëndësishme në këtë drejtim. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim u shpreh se Shqipëria duhet të ecë më shpejt në rrugën e progresit të integrimit europian dhe zgjidhjes së problemeve të qytetarëve të saj.Duke cituar deklaratën e Komisionerit për Zgjerimin në Bashkimin Europian, i cili u shpreh se është vërtet për të ardhur keq që klasa politike shqiptare nuk vendosi axhendën e integrimit mbi interesat partiake, por ai ngulmoi se Bashkimi Europian inkurajon politikanët shqiptarë që të fokusohen mbi procesin e integrimit evropian.Më tej Meta deklaroi se LSI është një forcë politike e cila është në rritje të sigurt gjithmonë e më shumë pasi sipas tij qytetarët shqiptarë e çmojnë politikën konstruktive.Në këtë takim Meta shoqërohej nga deputeti i LSI-së për Qarkun e Gjirokastrës, Vangjel Tavo, ndërsa u anëtarësuan rishtas në Lëvizjen Socialiste për Integrim dhjetëra anëtarë të rinj.