Fitojnë Milani dhe Interi, treni që të dërgon në Europë është më afër

Skuadra e Clarence Seedorf ka mposhtur në San Siro sicilianët e Catanias. Një takim që nuk ka rezultuar aspak i lehte për kuq e zinjtë kjo falë edhe një paraqitjeje mjaft të mirë të skuadrës së Pellegrinos.Një gol i Montolivos në minutën e 23-të i dha fitoren Milanit. Ish-mesfushori i Fiorentinës mposhti portierin Andujar me një goditje të fortë nga distanca. Një dozë të mirë merite për këtë fitore e ka dhe portieri i kuq e zinjve Christian Abbiati. Italiani ishte shpesh herë vendimtar me ndërhyrjët e tij duke u treguar i saktë përballë goditjeve të Lodit e Barrientos. Skuadra e Milanit u shfaq jo në gjëndjen e duhur megjithëatë mori 3 pikë të vlefshme të cilat e mbajnë akoma në lojë për një vend në Europë." Rëndësi ka rezultati, morëm pikët dhe kjo është kryesorja, porsa i përket lojës mund tju them se nuk kam lojtarët e duhur për të luajtur nga krahët. Lojtarë të tipit të Cafu-së apo Serghinho-s " u shpreh trajneri holandez pas ndeshjes.Një fitore të rëndësishme arriti dhe skuadra tjetër e Milanos, Interi. Djemtë e Mazzarrit shënuan 4 herë në portën e Sampdorias në stadiumin Luigi Ferraris. Vendimtar për Interin ishte sulmuesi Mauro Icardi i cili shënoi një dy golash në përballjen me ish-skuadrën e tij. Në minutën e 13 argjentinasi shfrytëzoi mjaft mirë një pasim të Palacios për ta dërguar topin pas krahëve të portierit Da Costa, më pas lëshoi dhe një provokim për tifozët vendas. 5 minuta më vonë Ranocchia shkakton një faull në zonë duke i dhënë mundësinë Maxi Lopezit për të barazuar. Argjentinasi godet por përgjigjet mjaft mirë Handanovic. 3 minuta më vonë Eder merr kartonin e dytë të verdhë duke ja lehtësuar punën skuadrës së Mazzarrit.Skuadra e Mihajlovic vazhdoi të kërkonte barazimin por gjeti një Handanovic ne superformë. Në minutën e 61 Sammuel dyfishoi rezultatin me një goditje me kokë duke e mbyllur de facto takimin. Për ta bërë akoma më të rëndë humbjen për vendasit menduan sërish Icardi e Palacio të cilët me golat e tyre e fiksuan rezultatin në 4-0. Skuadra e Interit ndodhet në vendin e 5-të dhe me fitoren e arritur i konsolidon pozitat për një vend në Europa League." Icardi është një talent, por duhet të rritet, mund ta kursente veprimin që bëri pas golit të shënuar" u shpreh tekniku Interit Walter Mazzari.