Rama vijë të verdhë Vlorës: Në burg kush ndërton pas legalizimeve VIDEO

Legalizimet falas kanë trokitur në Vlorë, ku kryeministri Edi Rama, shpërndau titujt e pronësisë për qytetarët e zonës së tij si deputet. Kreu i qeverisë premtoi se epoka e zjarritjes se legalizimeve ka përfunduar, por bashkë me të edhe çdo mundësi për të kryer ndërtime pa leje.“Ata që kanë ndërtuar pa leje dhe e kanë bërë këtë me sakrifica të mëdha, me kursimet e gjakut në emigracion, me kursimet e bukës së gojës këtu, në vend, për të strehuar familjen e tyre, do të legalizohen falas. Dhe ata që më pas do të guxojnë të vënë një tullë pa leje, do të ndiqen penalisht. Nuk mund të vazhdojë më kjo histori që është e pashembullt për Evropën dhe që e ka bërë Shqipërinë një vend ku "gjej një shesh e bëj një përshesh"Në qarkun e Vlorës janë bërë në vite rreth 25 mijë vetdeklarime dhe janë dhënë lejet e legalizimit për vetëm 2700 ndërtime. Ndërkohë qeveria e mëparshme, në 8 vjet, në rang vendi ka realizuar legalizime në masën 5-6 %, ndërsa në Vlorë ka legalizuar në masën 12 %, shumica dërmuese e të cilave janë legalizime problematike”tha Rama.Rama akuzoi qeverinë Berisha se për qëllime të pastra korruptive ka kryer legalizime abuzive."Është bërë një abuzim i tmerrshëm nga ana e strukturave të ALUIZNI-t të deridjeshëm, duke legalizuar vetëm për qëllim fitimi dhe korrupsioni. Janë legalizuar godina në asnjë mënyrë nuk duhet të legalizoheshin, të ndërtuara në mënyrë abuzive në bregdet, të ndërtuara duke iu marrë qytetarëve pjesët më të bukura të Vlorës dhe duke i marrë Vlorës fytyrën dhe ajrin. Janë legalizuar shtesa pallatesh apo ndërtime të tëra që nuk janë ndërtuar për të strehuar familjen, nuk janë ndërtuar as me paratë e kursyera nga buka e gojës, por janë ndërtuar për qëllime fitimi, për shitje, për tregti dhe për përfitime. Kjo është realisht një faqe e turpshme e një pushteti që kudo ku mundi rrënoi për të përfituar dhe përfitoi duke rrënuar", nënvizoi Rama.Shefi i qeverisë, theksoi më tej se përmes legalizimit falas, po synohet edhe ndërgjegjësimi i familjeve për të kryer pagesën e energjisë elektrike.“Ndërkohë, me anë të këtij procesi legalizimi falas, po synohet edhe ndërgjegjësimi i familjeve për të kryer pagesën e energjisë elektrike. Për ata që do të paguajnë, do të bëjmë edhe një ulje tjetër, që është një ulje prej 400 mijë lekë nga 4 milionët. Kush do paguajë menjëherë, do të ketë edhe një 400 mijë lekë që nuk do ta paguajë, por do ta ketë në hipotekë, si kufizim dhe do ta përdorë për të paguar energjinë elektrike. Dhe pas 2 vjetësh, mjafton që të tregojë faturat që ka paguar energjinë elektrike dhe e heq edhe këtë detyrim. Kjo, sepse ne nuk duam që për shkak të pamundësisë familjet në nevojë apo familjet që sidoqoftë kanë shpenzuar gjithçka për të bërë shtëpinë edhe janë në gjendje të vështirë, të përfundojnë në ndjekje penale dhe kryefamiljari të përfundojë në burg për vjedhje të energjisë. Se shumë shpejt do të hyjë në fuqi një masë e re në Kodin Penal që energjia nuk do të ndëshkohet më me gjobë, por do të ndëshkohet me burg", theksoi Kryeministri.Ndërkaq Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame sqaroi se kjo shifër nuk ka të bëjë me legalizimin në zonat informale, por legalizimet që janë kryer në bregdetin e vendit, ku shumica e tyre nuk duheshin legalizuar."Ky 12 % nuk është në këto zona, nuk është në zonën e "Fushës së Aviacionit". Në këtë 12 % janë pallate në Sarandë, objekte në Parkun Kombëtar të Butrintit, objekte në bregdet e kështu me radhë. Kjo e shpjegon faktin pse Vlora ka më shumë legalizime", u shpreh Lame.Në takim merrnin pjesë edhe Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, Prefektja e re e Qarkut të Vlorës dhe deputetë, të cilët shpërndanë lejet e legalizimit për disa familje në zona të ndryshme informale të Vlorës.